Mediat e huaja pasqyrojnë ndalimin e dy deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku

26/03/2015 00:00

Ndalimi i dy deputetëve, Tom Doshi dhe Mark Frroku, përveçse ishte lajmi kryesor i ditës së sotme në Shqipëria, ka gjetur pasqyrim edhe në mediat ndërkombëtare.

“Dy deputetë në Shqipëri, vend anëtar i NATO-s, janë arrestuar ditën e enjte, pasi Parlamenti votoi për heqjen e imunitetit. Ligjvënësit shqiptarë akuzohen për “dëshmi të rreme”. Ata akuzuan kryetarin e Parlamentit për komplot për të vrarë një prej tyre si dhe një tjetër koleg”, shkruan “Reuters”

Agjencia “Reuters” thekson faktin se të dy deputetët e arrestuar janë biznesmenë, të cilët janë zgjedhur si deputetë në ato zona që më parë kanë qenë bastione të Partisë Demokratike.

Ndërkohë, agjencia informative amerikane “Abcnews” shkruan se ‘pas akuzave ndaj kreu të Kuvendit, deputeti Doshi, nuk dha asnjë shpjegim në lidhje me motivet që Meta kishte porositur vrasjen, ndërkohë kreu i Kuvendit i ka mohuar akuzat”.

Lajmi është pasqyruar edhe në media të tjera si “Associated Press”, Foxnews, apo edhe “Daily Mail”, të cilat shkruajnë se “momenti i arrestimi nga policia i të dy deputetëve, njëri në shtëpi dhe tjetri në zyrën e tij, është transmetuar gjerësisht  në televizionet vendase”.

Top Channel