Sekuestrohen 2.5 kg. heroinë në Durrës, arrestohet korrieri

27/03/2015 00:00

Një sasi prej 2.5 kg. lëndë narkotike e llojit heroinë është sekuestruar natën e kaluar, në portin detar të Durrësit, nga sektori i anti-narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut.

Automjeti tip ‘Citroen’, ngjyrë gri, me targa AA530KZ, i drejtuar nga shtetasi Petrit Meta, i është nënshtruar kontrollit policor para imbarkimit në tragetin e linjës Durrës-Bari.

Sipas burimeve policore, informacioni paraprak i siguruar në rrugë operative për trafik narkotikësh ka rezultuar i saktë, pasi gjatë kontrollit brenda serbatorit të automjetit, u gjetën 5 pako të mbështjella me natriban dhe me mbishkrimin “Afganistan” në to.

Pakot ishin të mbështjellë dhe me letër alumini, brenda të cilave ndodhej lënda narkotike me peshë totale 2 kilogramë e 586 gramë.

38-vjeçari Petrit Meta, nga Lushnja, dyshohet se ka luajtur rolin e korrierit të drogës, ndaj po hetohet për personat e tjerë të përfshirë në këtë rast të trafikut ndërkombëtar të heroinës, që dyshohet se ka mbërritur nga Afganistani me destinacion tregun europian të narkotikëve.

I arrestuari për trafik narkotikësh është i martuar dhe person pa precedentë penalë.

Top Channel