Gjiknuri takon Paganon: Reformat në energji kërkojnë kohën e tyre

27/03/2015 00:00

Ministri i Energjisë dhe i Industrisë, Damian Gjiknuri, priti këtë të
premte në Tiranë drejtorin Ekzekutiv pranë Bankës Botërore në
Uashington, Patrizio Pagano, të cilin e njohu me hapat dhe masat e
ndërmarra nga qeveria shqiptare në kuadër të reformës në sektorin e
energjisë elektrike.

“Janë kryer një sërë veprimesh që çojnë në rritjen e likuiditetit në sektor, përmirësimin e aspektit financiar dhe nxjerrjen e tij sa më shpejt nga kriza”, u shpreh në takim Gjiknuri, sipas të cilit, “reformat në energji kërkojnë kohën e tyre për t’u ndërmarrë dhe për të patur rezultate të konsoliduara”.
 
Ministri i Energjisë falenderoi Bankën Botërore për mbështetjen që po i jep qeverisë në drejtim të kryerjes së këtyre reformave. “Shikoj se ka një interes në rritje për investime në të gjithë portofolin e energjisë në Shqipëri, por është me shumë rëndësi që sektorit së pari t’i konsolidohet disiplina financiare”, shtoi Gjiknuri.

Ai nënvizoi se përmes projektit të BB-së për rimëkëmbjen energjitike, por edhe me fondet e vetë kompanive KESH, OST dhe OSHEE, do të mund të kryhen investime konkrete në terren, që do të përmirësojnë ndjeshëm cilësinë e furnizimit me energji për qytetarët.

Z. Pagano i konsideroi mjaft të rëndësishme masat e marra nga qeveria në drejtim të stabilitetit financiar të sektorit, rritjes së nivelit të arkëtimeve dhe reduktimit të humbjeve në rrjetin e shpërndarjes.  Ai vlerësoi se “sfida e qeverisë shqiptare në sektorin energjitik është e rëndësishme” dhe se “deri tani po ecet në rrugën e duhur”.
 

Në këtë takim, Pagano shoqërohej edhe nga drejtoresha e Bankës Botërore për Shqipërinë, Tahseen Sayed.

Top Channel