Pogradec, dy fortesat “ndryshojnë” projektin e rrugës

27/03/2015 00:00

Punimet e stërzgjatura në rrugën Pogradec-Lin këtë verë do të jenë
thuajse të përfunduara, ndërsa prania e dy bunkerëve të Luftës së Dytë Botërore, në dalje të Pogradecit, ka shtruar domosdoshmërinë e
ndryshimit të projektit.

Të ndërtuar gjatë luftës nga italianët, bunkerët janë dëshmi e një periudhe historike me shumë ngjarje. Fortesat janë ndërtimet më të njohura në këtë qytet. Në projektin fillestar ishte parashikuar që ato të shkatërroheshin, për shkak të vendndodhjes së tyre në breg të liqenit.

Por, projekti i rrugës shkatërronte përfundimisht edhe bregun. Në një takim me drejtues të instancave dhe përfaqësues të grupit të projektimit janë ngritur dy versione të mundshme, që parashikojnë ndërhyrjen në afro 1 kilometër të rrugës, me qëllim që të mos cenohen bunkerët dhe të kthehen në një atraksion turistik, në zonën e plazhit.

Pasi ka prezantuar dy variantet e mundshme, që konsistojnë në një ndërhyrje në skarpatin e malit, Prefekti i Korçës ka sqaruar se punimet do të avancojnë në të gjithë pjesën tjetër të rrugës, për t’u mundësuar turistëve që në verë të pushojnë në Pogradec.

Ky segment përfshin pjesën fundore të rrugës nacionale Qafë Thanë-Pogradec dhe vlera e projektit arrin në 700 milionë lekë.

Top Channel