Rama, pritje për fermerët që përfituan nga skemat mbështetëse në bujqësi

27/03/2015 00:00

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Bujqësisë dhe drejtoresha e Agjencisë për Zhvillimin Bujqësor e Rural, pati të enjten një darkë pune me fermerë dhe agro-përpunues, përfitues të skemës së mbështetjes në bujqësi.

Kryeministria njoftoi se, qëllimi i pritjes ishte “të ndaheshin historitë e suksesit, një vit pas rikonceptimit të formës së mbështetjes përmes investimit” dhe për të prezantuar “mënyrën e re të aplikimit për financim për vitin 2015”.

Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti theksoi “konkurrueshmërinë përmes ruajtjes së autenticitetit të produkteve shqiptare dhe cilësisë” dhe nënvizoi që edhe pse “eksporti i prodhimeve shqiptare është rritur, ka ende shumë potencial për rritjen e ofertës dhe zgjerimit të tregjeve, jo vetëm drejt vendeve të rajonit, por edhe drejt tregut të BE-së”.

Ndërsa drejtoresha e AZHBR, Suela Popa, tha se kjo skemë ka rezultuar e efektive, e dëshmuar nga historitë e shumta të suksesit dhe numri në rritje i aplikimeve për të përfituar prej saj. Sipas saj, “qasja tërësisht e re me anë të mbështetjes përmes investimeve mundësoi krijimin e zinxhirit të vlerës dhe garanton shitjen e produktit vendas”.

Gjithashtu, znj. Popa prezantoi edhe mënyrën e re të aplikimit për këtë vit.

Top Channel