Prokuroria: Doshi dhe Frroku në burg; kërkesa e Akuzës në Gjykatën e Lartë

27/03/2015 00:00

Për shkak të kohës së tejzgjatur që u desh për të pyetur deutetët Tom Doshi dhe Marku Frroku, Prokuroria e Përgjithshme i dorëzoi në Gjykatën e Lartë kërkesat për masat e sigurisë përtej orës zyrtare 16.

Sipas zyrës së shtypit të Gjykatës së Lartë, të shtunën në orën 8.30, shorti me gogla do të caktojë se kush do të jetë kolegji penal prej pesë gjyqtarësh që do të shqyrtojë kërkesat e organit të akuzës.

Prokuroria e Përgjithshme kërkon nga Gjykata e Lartë që të vlerësojë si të ligjshëm urdhërat e ndalimit të Tom Doshit dhe Mark Frrokut, si dhe të caktojë masa të sigurimit personal. Pas depozitimit të kësaj kërkese, Gjykata e Lartë ka kohë 48 orë.

Më herët gjatë ditës pragun e Gjykatës së Lartë e kaloi avokati i Tom Doshit, i cili kërkoi lirimin e menjëhershëm të klientit të tij. “Është një ndalim i kundraligjshëm, që ka tejkaluar kompetencat e tij”, tha avokati Vladimir Meçi shkurt për mediat.

Vetëm pas kësaj lëvizjeje avokatët e dy deputetëve iu drejtuan më pas policisë së Tiranës, ku veç njëri-tjetrit, ashtu sikurse edhe prokurorët, asistuan në marrjen në pyetje të Frrokut dhe Doshit.

Pas një seance që zgjati 1 orë e 30 minuta, avokatët e Frrokut, Genc Gjokutaj e Saimir Vishaj u shprehën se, pasi është marrë në pyetje si person nën hetim, Mark Frroku ka mbajtur të njëjtin qëndrim.

“Ai është akoma i befasuar se si është e mundur që persona të tjerë kanë sajuar një vrasje. Nuk kemi asnjë lidhje me akuzat fantazmë në lidhje me porositjen e vrasjeve nga kryetari i Parlamentit”, deklaroi Saimir Vishaj.

Por ai që është pyetur sërish më gjatë, për gati 4 orë, ka qenë i ndaluari tjetër Tom Doshi, që ka këmbëngulur, sikurse në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, se ndaj tij po komplotohej një vrasje. “Ai ka mbajtur edhe sot të njëjtin qëndrim që ka pasur gjithmonë”, tha Meçi.

Gjatë ditës prokruria ka pyetur edhe Durim Bamin, ndërsa për shkak të pretendimeve të Doshit se Bami është kërcënuar, dy oficerë të policisë gjyqësore kanë sekuestruar kamerat e sigurisë në Drejtorinë e Tiranës, atje ku u mbajt për një kohë të gjatë 37-vjeçari Bami.

Top Channel