Kthimi i Listës Serbe, së shpejti vendimi; Jabllanoviç: Qeveria, jo lëshime opozitës

27/03/2015 00:00

Lista Serbe në dy ditët e ardhshme do të vendosë nëse do të kthehet ose jo në institucionet e Kosovës. Kryetari i saj, Aleksandar Jabllanoviç ka folur mbi këtë çështje gjatë një debati me temën “Veriu i Kosovës pas Marrëveshjes së Brukselit”, të organizuar në Çagllavicë.

“Kryeministri ka lëshuar pe para akteve të opozitës dhe kjo nuk duhet të ndodhte. Sepse po të kisha bërë diçka të keqe, unë vetë do të largohesha nga posti. Kjo është arsyeja që Lista për një periudhë nuk ka marrë pjesë në qeveri. Sa i përket pjesëmarrjes sonë në të ardhmen, ne kemi pasur diskutime. Ka përparim, por nuk kam ardhur këtu të flas për bisedimet tona për kthimin. Për këtë do të publikojmë vendimin e fundit nëse do të kthehemi ose jo dhe shpresoj që kjo të ndodhë për një ose dy ditë”, deklaroi Jabllanoviç.

I pyetur për mbylljen e mbrojtjes civile sipas një marrëveshjeje të arritur në Bruksel, Jabllanoviç mbroi punën e strukturës famëkeqe.

“Mbrojtja civile nuk është strukturë paralele, por është një organizatë e rregullt, e tipit paqësor, që merret me fikje zjarresh, pastrimin e rrugëve gjatë dimrit, parandalimin e pasojave nga vërshimet. Mbrojtjen civile e kanë formuar strukturat themelore civile nga veriu dhe ato do të paraqesin mendimin e tyre. Unë nuk jam këtu për të komentuar deklaratën e zonjës Edita Tahiri dhe nëse do ta bëja, janë disa deklarata që do t’i komentoja dhe janë provokuese”, tha Jabllanoviç.

Në lidhje me efektet e marrëveshjes së Brukselit, në debat më tej foli dhe Naim Rashiti nga Grupi Ndërkombëtar i Krizave.

“Shumë njerëz nga veriu janë të pakënaqur nga kjo marrëveshje. Prej vitesh punoj atje dhe të gjithë janë shprehur se po të kishin negociuar vetë do të bënin një marrëveshje më të mirë me Prishtinën. Por ata vazhdojnë të jenë pasivë në komunikimin me Prishtinën dhe në një mënyrë humbin pozicionin e vetë në raport me negociatat. Çështja e dytë, që është shumë e rëndësishme për qytetarët serbë, është që kjo situatë që ka mbretëruar për 15 vjet ka qenë e instrumentalizuar politikisht”, tha Rashiti.

Ndërsa një përfaqësues i serbëve të veriut kritikoi rezultatet e dialogut, pasi sipast tij nuk i kanë shërbyer kësaj popullate.

“Pra, i tërë procesi nuk është zhvilluar në nivel të dytë dhe të tretë të faktorëve shoqërorë, në nivel të komunikimit të komuniteteve dhe vetëvetiu ky proces nuk ka kontribuar në avancimin e raporteve mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, ku ende ka një distancë të papranueshme etnike”, tha Nenad Maksimoviç.

Panelistët ishin të mendimit se serbët e veriut duhet të kenë më shumë kontakte me qeverinë në Prishtinë.

Top Channel