Jemeni, Hammond: Sauditët s’mund të pranojnë një regjim proiranian

27/03/2015 00:00

Sekretari i Jashtëm britanik, Philip Hammond bëri të ditur këtë të premte se, Arabia Saudite e ndieu të nevojshme ndërhyrjen ushtarake në Jemen, në mënyrë që të shmangte ardhjen në pushtet të një regjimi të mbështetur nga Irani, në vendin me të cilin sauditët ndajnë kufijtë jugorë.

“Sauditët janë të përgatitur mirë dhe tepër të ndikueshëm nga idea e një regjimi ‘iranian’ në Jemen”, tha kryediplomati britanik për reporterët, gjatë një vizite në Uashington. “Ata nuk mund ta pranojnë idenë e një regjimi të mbështetur prej iranianëve në kontrollin e Jemenit, ndaj dhe e panë të arsyeshme për të ndërhyrë në këtë drejtim që kanë zgjedhur”.

“E dimë mirë se ka pasur një mbështetje të theksuar iraniane ndaj militantëve huthi, ndaj dhe të gjithë jemi të shqetësuar për të shmangur që kjo betejë të kthehet në një luftë armiqësore për influencë në rajon”, tha Hammond.

Ndërkohë, sa u përket negociatave për një marrëveshje të mundshme bërthamore me Iranin, Hammond u shpreh se “kemi bërë më shumë sesa gjysmën e rrugës, në lidhje me fushat e debatueshme, prej të cilave në disa jemi shumë pranë me njëri-tjetrin, ndërsa për të tjerat kemi besimin se kur të mbërrijmë në fund do të kemi sukses”.

Përfaqësues të Teheranit ndodhen në Lozanë të Zvicrës, për t’u takuar me përfaqësues të 6 fuqive botërore; SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Rusi dhe Kinë; të cilët synojnë të hartojnë një marrëveshje kuadër deri në fund të këtij muaji, për t’iu drejtuar më pas një marrëveshjeje të përhershme deri më 30 qershor.

Hammond refuzoi të thoshte se cilat ishin fushat kryesore të mosmarrëveshjeve me iranianët, në bisedimet mes tyre. Gjithsesi, ai shtoi se do të dëshironte të udhëtonte drejt Lozanës, për t’iu bashkuar bisedimeve këtë fundjavë, nëse do të jetë e nevojshme. “Ekipi negociator iranian në Lozanë dëshiron të arrijë një marrëveshje. Ajo që nuk mund ta dimë me siguri të plotë është sesi zhvillohen politikat e brendshme në Teheran”, përfundoi ai.

Top Channel