Integrimi në BE, prezantohen rezultatet e anketimit kombëtar

27/03/2015 00:00

Rezultatet e një anketimi kombëtar mbi perspektivën e anëtarësimit të
Shqipërisë në Bashkimin Europian, kryer nga Fondacioni Shoqëria e Hapur,
u prezantuan këtë të premte në Tiranë.

Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, e pranishme në këtë prezantim, theksoi se qytetarët shqiptarë duhet të jenë pjesë e pandashme e gjithë procesit të integrimit. “E kam përcjellë gjithnjë me shumë krenari tek partnerët tanë europianë se, ne jemi një nga popujt që duam më shumë Europën dhe shifra 87% e shqiptarëve ‘pro’ integrimit të plotë të saj është një shifër që realisht në këtë moment ku ndodhet Europa, na motivon të gjithëve në këtë aspiratë të përbashkët”, tha znj. Gjosha.

Ajo nënvizoi më tej se, gjetjet e studimeve të tilla janë një ndihmë e madhe për të orientuar institucionet drejt asaj që duhet bërë më mirë, “në mënyrë që qytetarëve t’u ofrohet një informacion i saktë dhe i qartë mbi BE-në”.

Ministrja Gjosha u shpreh e bindur  se “nuk mund të avancojmë dhe t’i kemi me vete qytetarët në këtë proces, nëse ata nuk e njohin siç duhet atë, nuk kanë informacion për detyrimet, kostot dhe përfitimet që Shqipëria do të ketë nga anëtarësimi me të drejta të plota në të ardhmen”.
 

Ajo theksoi se qasja e Ministrisë së Integrimit Europian dhe e gjithë qeverisë është që të mos e lërë procesin e integrimit, si një koncept teknik apo abstrakt, por ta bëjë sa më të prekshëm për çdo pjesë të shoqërisë. “Sepse integrim do të thotë arsimim cilësor, konsolidim të demokracisë, zhvillim ekonomik, punësim, pra integrimi na prek të gjithëve dhe është i të gjithëve ne”, tha ministrja Gjosha.

Më tej, ajo u ndal në një nga gjetjet e anketimit, pikërisht për përgjigjen që personat e anketuar kanë dhënë për pyetjen: “Mendojnë se BE duhet ta pranojë Shqipërinë si vend anëtar edhe pse vendi nuk është gati akoma?”. Rreth 69% e të anketuarve mendojnë që BE duhet ta pranojë Shqipërinë.

“Duke marrë shkas nga kjo shifër, doja të theksoj edhe njëherë që ky perceptim duhet të ndryshojë, pasi ne do të jemi pjesë e Bashkimit Europian vetëm mbi parimin e meritës dhe vetëm kur të kemi përmbushur detyrimet që na janë lënë. Anëtarësimi në BE nuk është dhuratë që do t’i bëhet vendit tonë, është një përpjekje dhe një sfidë që do ta kapërcejmë të gjithë bashkë”, tha Gjosha.

Për ministren e Integrimit, përfitimet nga ky rrugëtim i nisur do të jenë shumë më të mëdha se kostot, por nga ana tjetër duhet të jemi të përgatitur që këto kosto t’i paguajmë sa më lehtësisht. “Ndaj çdo nismë që përfshin qytetarët në funksion të procesit të integrimit është sot më shumë se asnjëherë më parë e domosdoshme. Pasi në të kundërt, realizimi i tij do të ishte një mision i vështirë”, theksoi ajo.

 

Top Channel