Të hënën në Bruksel nisin bisedimet për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni. Lajmi është konfirmuar nga tre eurodeputetë evropianë, Richard Howit, Eduard Kukan dhe Ivon Vogel, që do të kenë rolin e lehtësuesit në dialogun midis dy partive kryesore maqedonase, VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së në opozitë.

Negociatat do zhvillohen me dyer të mbyllura në selinë e Parlamentit Evropian. Lideri i LSDM-së opozitare, Zoran Zaev ka deklaruar se zgjidhja e krizës politike është e pamundur pa ndërmjetësim ndërkombëtar, por nuk ka dashur të parashikojë rrjedhën e negociatave që do të nisin të hënën.

“Mirëpresim dialogun dhe është i pranueshëm për ne. LSDM asnjëherë nuk i shmanget dialogut, por një gjë duhet ta dimë, se është e pamundur të vendoset dialog mes pushtetit dhe opozitës në Maqedoni pa ndërmjetësim të jashtëm. Prandaj nuk dua të flas që tani për pritjet tona nga dialogu. Qëndrimet tona janë të qarta dhe populli është dëshmitar pse bojkotojmë Parlamentin dhe pse nuk i njohim zgjedhjet”, ka thënë Zaev.

Brukseli pret që dialogu mes dy partive maqedonase të rezultojë me kthimin e opozitës në Parlament dhe t’i jepet fund krizës politike, duke i hapur rrugë zgjidhjes institucionale për aferën e përgjimeve dhe rastin “Puç”, të ngritur kundër liderit të opozitës Zoran Zaev. Në këto bisedime nuk është ftuar asnjë nga partitë shqiptare të Maqedosië.

Top Channel