Macovei: Kini besim te drejtësia. S’është mirë që të kërkoni ndihmë nga jashtë

27/03/2015 00:00

Në një intervistë dhënë për Top Channel, deputetja e Parlamentit Europian, Monica Macovei sheh si shqetësuese mungesën e dialogut politik në vendin tonë, ndërsa në lidhje me ndalimin e dy deputetëve kërkon që të ketë një proces objektiv me rezultate konkrete hetimore dhe të kihet besim te drejtësia.

Top Channel: Si e shihni reagimin e opozitës gjatë takimit ndërparlamentar dhe cilat janë shqetësimet tuaja kryesore për vendin, tashmë dhe e keni vizituar?

Monica Macovei, Kryetare e Delegacionit të PE-së  për Shqipërinë: Shqetësimi im kryesor për atë çfarë vërej dhe që, mbase ekziston me të vërtetë është mungesa e konsensusit politik ndërmjet opozitës dhe shumicës. Kam kaluar disa beteja në jetën time dhe ka patur shumë njerëz që më bërtisnin mua, apo qoftë dhe mes njeri-tjetrit, si në qeveri dhe në vende të tjera. Ndaj kjo nuk ishte risi dhe unë mund t’i rezistoj këtyre gjërave. Nuk është se intimidohem kur njerëzit përreth meje bërtasin, por kjo nuk është e mirë për njerëzit, se ajo që ata shohin në Shqipëri është vetëm skandal, skandal, skandal. Kështu që është mirë që të jenë së bashku për disa pika. E kuptoj se është roli mes opozitës dhe pushtetit, por ka gjëra objektive, si anëtarësimi në BE apo momente historike përgjatë kësaj rruge të Shqipërisë, ku të gjithë politikanët duhet të jenë të bashkuar, sepse të gjithë shqiptarët e kërkojnë këtë pavarësisht se cilës partie i përkasin, dhe kjo vjen përpara çdo interesi e beteje politike.

Top Channel: A mendoni në fakt se Shqipëria është  pranë hapjes së negociatave pas takimit ndërparlamentar, në të cilin opozita pretendon se nuk iu dha koha e duhur, siç është aplikuar deri tani në të tilla raste?

Eurodeputetja Macovei: Do ta nis nga kjo e fundit. Po. Opozita ka patur kohë të mjaftueshme e madje dhe më shumë se aq, pasi e morën fjalën ministrat në fillim. Ministrat vinë në parlament, japin një raport dhe ata merren në pyetje nga deputetët. Kjo është ajo që ndodh gjithandej me të tilla komitete në vendet e tjera. Nuk e kuptoj pse këtu bën përjashtim. Jo. Kjo është procedura. Ne debatojmë, por opozita i pyet sëpari. Secili prej tyre kishte 10 minuta kohë dhe unë iu lejova atyre të opozitës më tepër kohë, unë disi ndalova të tjerët. Por, nuk i vërej këto. Përsa i takon çështjes më të rëndësishme të hapjes së negociatave, po, kjo është e mundur dhe ajo që duhet bërë është dhënia fund e kësaj lufte. Punoni së bashku, është një çështje që mund të bëhet nga sot, ose nesër. Përgatituni për zgjedhjet e Qershorit me një listë të qartë të kandidatëve që zgjidhen, meqë janë zgjedhjet e para, por ngjashëm dhe më pas. Gjithashtu, ata në parlament, mbi të cilët ka akuza, pretendime, dyshime, duhet të japin dorëheqjen. Nëse ata nuk e bëjnë, partia duhet t’ua kërkojë atyre, të gjithëve. Tani është koha  për të vepruar.”

Top Channel:  Si e vlerësoni ndalimin e dy deputetëve nga prokuroria, në kuadër të reformës në drejtësi? A dyshoni për ndikim politik mbi këtë çështje?

Eurodeputetja Macovei: Nuk jam në gjëndje të them nëse kërkesa e prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe ndalimin e këtyre dy deputetëve bazohet në prova dhe se është marrë në mënyrë të pavarur,  jashtë influencave. Unë vetëm shpresoj se ka ndodhur kështu. Por në fund do ta shohim, kur ato të bëhen publike, nëse ka vepruar drejtë. Prandaj them hetime  me rezultate. Njerëzve u duhet dhënë një përfundim  bazuar në provat e publikuara. Njerëzit duhet të kenë besim në sistem dhe ju tani jeni në një moment delikat.  Kur nis të bësh ndyshime, disa njerëz do dyshojnë, nëse është e vërtetë dhe nëse ka ndikime. Kur është real, serioz dhe pa influenca interesash, ka rezultate dhe evidenca për të treguar, duke i bindur njerëzit në Shqipëri, jo neve. Ne ju besojmë. I shohim këto akuza dhe do presim që të shohim arsyetimin, evidencat, dhe rezultatin përfundimtar. Nuk është mirë që vendi  të kërkojë ndihmën e ndërkombëtarëve për hetimet, për prokurorë e gjykatës të huaj.  E kam dëgjuar dhe këtë. Juve ju është dhënë statusi kandidat dhe tani flasim për të hapur negociatat e anëtarësimit me BE-në, pra jeni në rrugën e duhur. Një prej reformave më të rëndësishme është ajo e gjyqësorit dhe ju thoni ‘kemi bërë hapa të mirë për këtë’. Si ka mundësi? Nuk ka asnjë prokuror e gjykatës të ndershëm, të drejtë e të pavarur në Shqipëri për ta bërë këtë punë? Nëse ju veproni kështu, do e shihni se gjithçka do të bllokohet dhe nuk do të hapen negociatat.

Top Channel: Çfarë pasojash sjell mosmiratimi i një deklarate përfundimtare nga Komiteti ndërparlamentar?

Eurodeputetja Macovei: Nuk është mirë,  pavarësisht idesë që më thuhet ‘Ah ishte njësoj vitin e kaluar, apo kështu ndodh gjithnjë’. OK, është gjithmonë koha për të ndryshuar. Ne e patëm një deklaratë përfundimtare që për mua ishte mjaft e mirë për ta. Bëmë draftin në Parlamentin Europian dhe diskutuam me politikanët veç e veç, e më pas dhe në grup, dhe i lejuam për ndryshimet siç i donin, këtu apo aty. E pashë që të gjithë ata e pranuan, por pastaj kjo ra vetëm pse dikush nga jashtë tha JO”

Top Channel: Dikush jashtë takimit?

Eurodeputetja Macove:
Ai që vendos, sepse njerëzit në takim ishin në rregull me tekstin. Por në fund të ditës, ky ishte një ushtrim i mirë. Jo dështim për mua, për ata. Unë tregova se mund të bisedojmë me njëri-tjetrin.  Ata duan të bërtasin, në rregull, por çfarë arritën?! Thjeshtë sollën median brenda dhe nisën të bërtasin. Mendoj se njerëzit janë të lodhur me këto. Unë s’jam e tronditur. Qëndruam deri në fund për të arritur marrëveshje, sepse kështu punojmë ne, pa bërtitur, mundohemi të diskutojmë e të arrijmë kompromis. Do të propozoj rregulla konkrete për këtë komitet në mënyrë që të gjithë të jenë me kohë në dijeni për procedurat, si ata dhe mediat. Kjo është pjesë e transparencës.

Përgatiti Arta Tozaj

Top Channel