Franca, nismëtare për paqen në Lindjen e Mesme: SHBA-të të mos ngurrojnë më

27/03/2015 00:00

Franca ka planifikuar të nisë diskutime të reja me partnerët gjatë “javëve të ardhshme”, në lidhje me një rezolutë të Këshillit të Sigurisë së OKB-së për të përcaktuar parametrat për dhënien fund të konfliktit në Lindjen e Mesme, bëri të ditur ministri i Jashtëm francez, Laurent Fabius, këtë të premte.

“Shpresoj që partnerët deri më tani ngurrues të mos ngurrojnë më”, tha Fabius, duke iu referuar Shteteve të Bashkuara, të cilët tradicionalisht kanë qenë mburojë e aleatëve të tyre izraelitë, nga çdo vendimmarrje e Kombeve të Bashkuara.

Shtetet e Bashkuara, në fakt, njoftuan pak ditë më parë se do të “rivlerësonin” opsionet e marrëdhënieve SHBA-Izrael, por edhe diplomacinë në lidhje me Lindjen e Mesme, pasi kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu mbajti një qëndrim provokativ javën e fundit të fushatës zgjedhore kundër “shtetësisë” së palestinezëve.

Në dhjetor, Shtetet e Bashkuara votuan kundër një rezolute të hartuar nga palestinezët, që bënte thirrje për tërheqjen e Izraelit nga territoret e pushtuara të Bregut Perëndimor dhe Jeruzalemit Lindor, si dhe për krijimin e shtetit të Palestinës deri në vitin 2017.

Franca, së bashku me Britaninë dhe Gjermaninë kanë hartuar gjithashtu një rezolutë në Këshillin e Sigurisë, vitin e kaluar, për të përcaktuar parametrat e dhënies fund të konfliktit, por teksti u la mënjanë deri pas zgjedhjeve të përgjithshme në Izrael, të zhvilluara javën e kaluar dhe të fituara sërish nga Netanyahu.

“E kemi thënë se këto parametra duhen përcaktuar e duhen njohur nga Këshilli i Sigurisë dhe se, natyrshëm, të dyja palët e përfshira duhet të përfshihen në diskutime, por këto biseda do të shoqërohen edhe nga një përpjekje ndërkombëtare”, tha Fabius për një grup të vogël reporterësh, në selinë e Kombeve të Bashkuara në Nju Jork.

Palestinezët synojnë të krijojnë shtetin e tyre, duke përfshirë Rripin e Gazës, Bregun Perëndimor dhe Jeruzalemin Lindor, toka këto të të pushtuara nga Izraeli në vitin 1967. Netanyahu, përpara se të rizgjidhej kryeministër, tha se nuk do të lejonte krijimin e një shteti palestinez sa kohë që do të udhëhiqte ai, si dhe premtoi se do të vazhdonte politikën e ndërtimit të blloqeve të reja të banimit në tokat e pushtuara.

Shumë vende perëndimore e shohin këtë politikë të Izraelit si të jashtëligjshme. I dërguari i OKB-së në Lindjen e Mesme, Robert Serry tha përpara Këshillit të Sigurisë gjatë së enjtes se vazhdimi i këtij projekti ndërtimesh mund ta ketë “vrarë” zgjidhjen e mundshme dyshtetërore.

“Deri më sot, asgjë nuk ka avancuar. Ende kemi ndërtime të reja, ndërsa palestinezët janë në një situatë gjithnjë e më të vështirë, ndaj dhe nuk mund të rrimë në heshtje”, tha Fabius.

Top Channel