Kosovë, dështon votimi i rekomandimeve për RTK-në

27/03/2015 00:00

Kuvendi i Kosovës nuk arriti as të premten të merrte një vendim për të sqaruar zhvillimet në Radio Televizionin e Kosovës.

Kjo, pavarësisht faktit se fillimisht pati një marrëveshje mes opozitës dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për të miratuar rekomandimet që kërkojnë nga bordi i drejtorëve që ta informojë Kuvendin për situatën.

Sipas deputetes së lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Pantina, rekomandimet janë hartuar bashkë me deputetin e LDK-së Sadri Ferati.

“Kuvendi, si organ themelues i RTK-së, i kërkon bordit të televizionit, si organi më i lartë mbikëqyrës, që urgjentisht të adresojë problemet. Bordi i RTK-së në veçanti duhet të shqyrtojë përjashtimin nga puna të kryetarit dhe nënkryetarit të sindikatës”, deklaroi Pantina.

Ndërsa Partia Demokratike e Kosovës kërkoi shtyrjen e kësaj çështjeje për seancën e së hënës dhe po kështu edhe Lidhja Demokratike. Ismet Beqiri e arsyetoi ndryshimin e qëndrimit të LDK-së me argumentin se nevojiten konsultime shtesë.

“Unë nuk e mohoj që s’eshtë diskutuar, por kemi nevojë edhe për pak konsultime. Unë propozoj që në seancën e radhës të jenë këto rekomandime”, tha Beqiri.

“Këta kanë rënë dakord për këto rekomandime bashkë me Sadri Feratin, i cili është paraqitur si perfaqësues i LDK-së. Edhe ai duhet të fliste, por nuk e di çfarë ka ndodhur me të dhe pse nuk po e shoh as në seancë”, replikoi Glauk Konjufca nga VV.

Deputeti Sadri Ferati, i cili në emër të LDK-së hartoi rekomandimet për RTK-në, nuk ishte i pranishëm në seancë në kohën e debatit. I kontaktuar me telefon, ai u shpreh i habitur me vendimin e LDK-së për të mos i votuar rekomandimet.

Ai tha se gjithçka është bërë në pajtim me grupin parlamentar, por shtoi se nuk ka të dhëna për ndryshim të qëndrimit. Për zhvillimet e fundit në transmetuesin publik, bordi i RTK-së priti në takim redaktorë dhe sindikalistë.

Kryetari i bordit, Ismet Bexheti nuk iu përgjigj interesimit të Top Channel për këtë çështje, por një nga redaktorët, Shkumbin Ahmetgjekaj tha se i kërkuan bordit shfuqizimin e vendimit të drejtorit për largimin e dy sindikalistëve nga puna.

Ahmetgjekaj tha se për këtë i dhanë bordit afat deri të hënën, në të kundërtë gazetarët, të përkrahur nga redaktorët, do të nisin protestat dhe forma të tjera reagimi që njeh ligji.

Top Channel