Izraeli heq “bllokadën” e transferimit të taksave për Autoritetin Palestinez

27/03/2015 00:00

Izraeli njoftoi të premten zhbllokimin e miliona dollarëve të ardhura prej taksave, duke ua lënë ato Autoritetit Palestinez, tre muaj pasi ngriu pagesat në shenjë proteste ndaj lëvizjeve të njëanshme të palestinezëve për çështjen e shtetformimit të tyre.

Zyra e kryeministrit Benjamin Netanyahu njoftoi se këto fonde do t’u dërgohen për qëllime humanitare dhe në përputhje të plotë me “interesat izraelite”. Lëvizja mund të shihet gjerësisht si një përpjekje për të rindërtuar “urat e bashkëpunimit”, veçanërisht me Shtëpinë e Bardhë, e cila kritikoi komentet armiqësore në lidhje me palestinezët, që Netanyahu bëri në përfundim të fushatës elektorale e që i riparoi pas fitores në zgjedhje.

Izraeli ndaloi në muajin janar dërgesat mujore të rreth 130 milionë dollarëve, detyrime tatimore dhe doganore që mbledh në emër të Autoritetit Palestinez, pasi organizata e kryesuar nga Abbas aplikoi për t’u anëtarësuar në Gjykatën Ndërkombëtare Penale të Hagës.

Që prej atëherë, më shumë se 500 milionë dollarë u refuzuan për dërgim, duke detyruar Autoritetin Palestinez, që administron Bregun Perëndimor, të shkurtojë pagat e shumicës së punonjësve të tyre me rreth 40% dhe të përdorte një buxhet emergjence.

Me një defiçit tashmë rreth 15% të PBB-së dhe me transfertat tatimore që përbëjnë rreth 2/3-tat e të ardhurave, buxheti duket se po fundoset muaj pas muaji. Papunësia qëndron në rreth 25% dhe prodhimi kombëtar pritet të tkurret këtë vit, duke rritur së tepërmi kërcënimin për destabilizim dhe dhunë.

Top Channel