Bami rrëzon sërish Tom Doshin: Nuk jam kërcënuar në qeli

27/03/2015 00:00

Në mbledhjen e së mërkurës në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, deputeti Tom Doshi deklaroi se Durim Bami ishte kërcënuar në qelinë ku mbahej i izoluar nga një person i maskuar.

Kjo deklaratë e tij ka aktivizuar prokurorët e Krimeve të Rënda që po hetojnë çështjen që kanë marrë në pyetje vrasësin e pretenduar prej deputetit të Qarkut të Shkodrës.

Por edhe këtë herë, Durim Bami ka rrëzuar pretendimet e Tom Doshit. Burime nga Prokuroria bëjnë me dije se Bami është marrë në pyetje për këtë deklaratë të deputetit për më shumë se katër orë këtë të premte.

Sipas avokatit të tij, Bami u ka qëndruar deklaratave të mëhershme se vrasja e deputetit Tom Doshi ishte një sajesë e tij dhe e Mark Frrokut, ndërkohë që ka mohuar të jetë kërcënuar me jetën e fëmijëve, ashtu siç ka pretenduar Doshi në mbledhjen e Këshillit të Mandateve.

Përveç dëshmisë së Bamit oficerët e Policisë Gjyqësore, në kuadër të hetimit kanë sekuestruar edhe pamjet filmike të kohës së qëndrimit të Bamit në Drejtorinë e Policisë, më konkretisht intervalin ku deputeti Doshi pretendon se Bami është kërcënuar me jetën e fëmijë që të ndryshonte dëshminë e tij.

Zyrtarisht akuza e Bamit ka ndryshuar nga “vrasje e mbetur në tentativë” në atë të “dëshmisë së rreme e kryer në bashkëpunim”.

Top Channel