Dekriminalizimi, LSI: Zgjedhjet nuk shtyhen; PD: Meta synon vjedhjen e votave

27/03/2015 00:00

Deputeti i LSI, Petrit Vasili në një deklaratë për mediat ka hedhur poshtë propozimin e PD për shtyrjen e datës së zgjedhjeve lokale, me qëllim dekriminalizimin e politikës.

“Kërkesa e PD për shtyrjen e zgjedhjeve është qesharake. Zgjedhjet e 21 qershorit nuk shtyhen, por PD nuk ka kandidatë”, ka deklaruar Vasili.

Ai ka thënë më tej se, Partisë Demokratike i doli boja me dekriminalizimin, ndërsa i ka bërë thirrje mazhorancës të zgjedhë figura me integritet.

Ndërkohë, në një reagim të mëvonshëm, partia më e madhe e opozitës i ka cilësuar deklaratat e zotit Vasili si demaskim të synimit real të kryetarit të LSI, Ilir Meta, për të grumbulluar vota përmes elementëve kriminalë në zgjedhje.

“Partia Demokratike dënon ashpër qëndrimin e Ilir Metës kundër procesit të dekriminalizimit para zgjedhjeve lokale të 21 qershorit. Ky qëndrim demaskon synimet e kreut të LSI për të kandiduar dhe përfshirë në fushatën zgjedhore kontigjentë të krimit me qëllim presionet dhe blerjen e votës siç bëri edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare”, thuhet në një komunikatë për shtyp.

Partia Demokratike shprehet e vendosur të ecë përpara me dekriminalizimin e politikës me çdo çmim. “Qytetarët shqiptarë meritojnë një politikë të pastër nga krimi dhe korrupsioni”, thuhet më tej në komunikatë.

Top Channel