Islamikët e moderuar sfidojnë ekstremistët online

27/03/2015 00:00

Një revistë online, e krijuar nga udhëheqës të lartë myslymanë, kërkon të sfidojë ideologjitë e grupeve ekstremiste si ISIS apo Al Kaeda.

Sipas “The Independent”, imamët nga Britania e Madhe dhe Evropa u mblodhën në një samit në Londër për të nisur edhe projektin e ri për revistën “Haqiqah”, që përkthehet si “realitet” ose “e vërteta”.

Prej kohësh grupet terroriste si Shteti Islamik, Al Kaeda dhe së fundmi Boko Haram, që pretendojnë se përfaqësojnë Islamin e vërtetë, përdorin rrjetet sociale për të propaganduar kauzat e tyre apo për të rekrutuar xhihadistë.

Një imam tha për gazetën britanike se “Haqiqa” do të përpiqet të arrijë tek ata msylimanë që janë të cënueshëm dhe që vihen në shënjestër nga ekstremistët në Facebook ose Twitter.

“Synimi ynë është t’i dëbojmë ata zëra që nxisin dhunën. Dikush duhet t’ua rrëmbejë territorin ekstremistëve të ISIS-it dhe ata që mund ta bëjnë këtë janë imamët”, ka thënë Qari Asim”.

“Por, tani që jetojmë në botën dixhitale, shumë të rinj nuk vijnë në xhami, kështu që ne duhet t’i arrijmë ata më përpara. Ky është kontributi i myslimanëve për të luftuar radikalizimin në rrjet”, shtoi Imami.

Top Channel