Një pasdite me Florjan Binaj

27/03/2015 00:00

Në rubrikën e personazhit të javës, të emisionit “Pasdite në Top Channel”, të moderatores Jonida Shehu, këtë të premte ka qenë i ftuar një tjetër personazh i njohur… Bëhet fjalë për Flori Binaj, aktori i mirënjohur i “Portokallisë”, për të cilin ndoshta mund të mos keni dëgjuar kurrë më parë, sa ç’keni mësuar për të gjatë kësaj pasditeje. Surpriza e parë për publikun ka qenë pikërisht njohja e Florit si piktor dhe arkitekt, përveç se aktor…

Një arkitekt jo vetëm me fjalë, pasi pas studimeve në degën e Arkitekturës, ka ndarë me shikuesit një projekt “guacke gjigante”, më e dashura për të. Shokët e shoqet e shkollës së tij, pedagogët gjithashtu të cilët i kanë dhënë mësim, e njohin shumë mirë këtë aspekt tjetër të jetës së tij, jo të përfolur shumë nëpër media, pasi siç thotë vetë Flori “Portokallia zë një pjesë të rëndësishme të jetës së përditshme të tij, aq sa nuk mund të flasë as për të mirat apo problematikat, që mund të ndeshë ai teksa studion dhe punon njëkohësisht”.

“Është një profesion që e kam dashur që i vogël. Pas Akademisë së Arteve nuk ndihesha shumë i plotësuar, ndaj mendova të bëj edhe këtë hap tjetër, duke studiuar për arkitekturë, shumë të lidhur me pikturën. Projekti në fjalë është bërë në vitin e tretë dhe është nga më të bukurit që kam bërë gjatë 5 viteve të shkollimit, është një muze i Shkencave të Natyrës, ku përmblidhen të treja shtresat e tokës: deti, toka dhe qielli. Duke qenë se Muzeu i Shkencave të Natyrës, dikur te ’21 dhjetori’, tashmë nuk ekziston, mendova të bëja një projekt që ta përfaqësojë denjësisht florën dhe faunën tonë të pasur, sado që nuk e ruajmë. Është fat që kemi edhe kaq sa kemi sot… Zgjodha guackën, si formën më të lashtë të njohur të jetës fosile në Shqipëri, pasi nuk kemi pasur dinosaurë”, tha Florjan Binaj.

Por si është pritur projekti më i dashur i Florit, të cilin ai e mbron kaq fort dhe me të cilin ende kënaqet, edhe vetëm duke e parë?

“Shumë prej miqve e pëlqyen, por një pjesë e pedagogëve të mi nuk e kanë pëlqyer, duke argumentuar se guacka nuk ka lidhje me Tiranën. E kam mbrojtur me mish e thua, por idea ime ka qenë se Tiranës dhe jo vetëm, çdo qyteti të Shqipërisë, u mungon nga një ikonë ose disa të tilla. Flasim për Tiranën, ku vendet më të famshme janë Sahati, Muzeu, 15-katëshi, Pallati i Kongreseve, Piramida, Kali i Skënderbeut, dhe janë bërë aq shumë ndërtime këto 25 vite, por nuk janë bërë ndërtime që të mbahen mend. Mund të përmend edhe një ndërtim te ‘Unaza e Re’, e cila vetëm për shkak të disa pikturave me shigjeta, tashmë është bërë i famshëm si Pallati me Shigjeta. Në rastin e projektit tim, një pikë tjetër referimi do të ishte guacka. Debatet ishin të mëdha, që nga forma le të themi e thjeshtë, se përse i ngjan kaq shumë një guacke, apo nëse do të kishte një formë tjetër s’do të quhej guackë, e deri te kostot, duke e konsideruar si shumë të shtrenjtë për Shqipërisë… Gjithsesi, besoj se në jetë nuk duhet të bëhet vetëm ajo që kemi mundësi të bëjmë, por të synohet për më lart, më përpara, të bëjmë gjëra që munden të bëhen, por thjesht ngurrojmë sepse themi s’ia vlen”, shpjegon Flori.

Një projekt i tillë, mbi të gjitha duhet të ketë frymëzimin brenda, pa marrë parasysh pjesën kur flitet për zbatimin e tij, që detyrimisht kushtëzohet nga financimet. Sa e keni shijuar Fakultetin e Arkitekturës?

“Jashtëzakonisht shumë, sepse më pëlqejnë gjithnjë sfidat. Kjo ishte një sfidë e vërtetë si me kohën, me lëndët e ndryshme e veçanërisht ato shkencore, të cilat i shmangim ne që vijmë nga profili i pikturës. Atje lëndët inxhinierike, shkencore janë të shumta, duke ndryshuar krejtësisht idenë time fillestare dhe, përveç se kam njohur pedagogë shumë të mirë, kam bërë edhe shumë miq të mirë në atë shkollë, gjëra këto që vlejnë për jetën”, shtoi më tej Flori.

Por, si e pritën në Fakultet Florin, arkitektët nga pas katedrës dhe studentët, përballë katedrës, një aktor të njohur tashmë nga “Portokallia”?

“Studentët më pritën çuditshëm, ç’desha unë atje. Filluan thashethemet, mos isha ngelës, mos kisha shkuar për ndonjë improvizim, kisha shkuar t’i bëj për të qeshur, apo mos po bëja një kamera të fshehtë… Ndërsa sa u përket pedagogëve, një pjesë e mirëpritën këtë gjë, e vlerësuan këtë sakrificë që po bëja, duke pasur edhe punën, ndërsa pjesa tjetër e filluan nga zero, sikur nuk më njihnin fare. Megjithatë rrugës u ngrohën gjërat gradualisht, panë që nuk po kërkoja ta bëja atë shkollë thjesht sa për të pasur atë letrën në fund, por sepse doja ta kisha profesion timin”, rrëfen Flori.

Thua vallë nuk i mjaftonte piktura, apo impenjimi në “Portokalli”, për të formuar Flori Binajn si personalitet?

“Piktura është diçka, por sot në Shqipëri është shumë e vështirë të mbijetosh me këtë pasion. Më e thjeshtë është të bësh atë që kanë qejf klientët, sesa atë që ke dëshirë të bësh ti. Gabimi kryesor për mua është të mos besosh te vetja dhe t’u besosh më thjesht asaj që kërkojnë klientët. Piktura mbetet ende dëshirë e imja dhe për miqtë e mi, të cilëve u bëj dhurata me raste, nuk e kam menduar kurrë që të jetoj përmes pikturës, këtë e kam kuptuar që në Lice. Pjesa e arkitekturës vlen për gjithë jetën, mund ta ushtrosh edhe në plakje, mund të eksperimentosh në mënyra të ndryshme. Besoj se gjërat do të ndryshojnë në vitet e ardhshme për Shqipërinë, do hapet një frymë e re për të gjitha idetë e reja, të kemi edhe ne diçka me të cilën të krenohemi, jo vetëm duke restauruar ato të vjetrat ekzistuese”, shpjegon Flori.

Por, cila është gjëja më e papëlqyeshme, që e bën të vuajë Florin si arkitekt?

“Sa i përket planit të Tiranës apo më tej, nuk më pëlqen fakti që të gjitha pallatet janë njësoj kudo të Shqipëri, i njëjti format, qëndrim, më vjen keq që nuk ruhen vlerat e ndërtimeve të vjetra, siç janë shtëpitë e vjetra tiranase. Nuk lejohen që të restaurohen sipas mënyrës së tyre, sepse janë të mbrojtura me ligj, por nga ana tjetër në momentin që shkatërrohen menjëherë mbin pallati aty dhe zhduket kjo vlerë. Nuk më pëlqen simbolika e ndërtimeve pa fund, duke trefishuar Tiranën, krahasuar me ikonat që kanë mbetur në vendnumëro”, shprehet Florjan Binaj.

E nëse Flori do të punonte si arkitekt me kohë të plotë, cilat dëshira do të plotësonte? Ato të financuesit e projektit, që do të bënte këto gjëra që janë bërë deri më tani, apo do të ishte arkitekti rebel, që do të rrezikonte edhe të mos kishte punë…?

“Sigurisht që më shumë te kjo e dyta. Në përgjithësi jam shumë rebel. Nga njëra anë jam shumë punëtor, duke preferuar t’i nxjerr më të mirën e mundshme çdo gjëje, nga ana tjetër preferoj të bëj gjëra që të ngelin të gjitha palët e kënaqura, me aq sa mundem. Vështirë t’i kthej përgjigje pyetjes suaj, sepse për momentin nuk kam kohë në dispozicion për ta ushtruar këtë profesion, pasi ‘Portokallia’ nuk të lë”, tregon Flori.

Por, a ka ndonjë projekt arkitekture, ku Flori të ketë firmosur dhe që të jetë realizuar deri më tani?

“Jo, për momentin jo. Gjatë studimeve ne i marrim në shqyrtim të gjitha fazat e zhvillimit, nga vilat, te pallatet, ndërtesat polifunksionale, e duke u rritur kështu lart e më lart. Besoj se në të ardhmen ndoshta po. Në fakt, një projekt më vete është edhe shtëpia ime, sepse pasi e bleva atë e hodha tërësisht në tokë dhe nisa çdo gjë nga fillimi: me sistem ndriçimi, me arredim, etj., deri në detaje. Besoj se është një projekt, nëse mund ta quaj kështu shtëpinë time, i pëlqyer nga të gjithë që vijnë, sepse është shumë ngrohtë, ka shumë dritë, ku mbizotërojnë ngjyra e bardhë, qelqi, metalet dhe druri. Gjithçka e nisa te shtëpia e prindërve, duke bërë modifikime të vogla, pastaj kalova te shtëpia ime, por nuk më ka kërkuar njëri deri më sot që të bëhem arkitekt i shtëpisë së tyre. Di të them vetëm që është shumë e rehatshme, saqë familjarët e mi i zë gjumi kur vijnë”, thotë për Pasditen, Florjan Binaj.

Dhe, çfarë është e rëndësishme për syrin e një arkitekti, të cilën duhet ta ketë medoemos një shtëpi, apo më saktë elementët që nuk duhen harruar asnjëherë?

“Drita, madje ajo natyrale, sepse Dielli është shumë i rëndësishëm. Falë dritës ti vë në dukje të mirat dhe nuk shikon të metat, nëse manipulohen mirë. Parësore për mua është ndriçimi, ndërsa së dyti do të përmendja funksionalitetin, duke shmangur futjen në dhomën e tjetrit për të shkuar në tualet, apo nga kuzhina për të dalë në ballkon. Këto gjëra, me kalimin e kohëve, po arrijnë të ndryshojnë, sepse njerëzit po këshillohen me arkitektë, sepse sado që baza apo themelet e shtëpisë janë hedhur, ti sërish mund të bësh disa lëvizje të vogla, të cilat lehtësojnë qarkullimin brenda saj”, sugjeron Flori.

Por si i ndan gjërat e përditshme Flori? Si e ndan arkitektin nga aktori, apo nga piktori? Si i sheh ai gjërat, si aktori i Portokallisë, për të gjetur grimca humoristike, për t’i përdorur më pas për skenare, apo si arkitekti, që gjykon çfarë duhet të ishte bërë, si duhet të ishte bërë?

“Më së shumti si një aktor, që merr shtysë nga realiteti, për të ndërtuar më pas një numër humoristik. Ajo që e bën të bukur Portokallinë është prekja e realitetit dhe përditshmërisë. Jo thjesht ta lëmë atë të ndodhë dhe të merremi me gjëra të tjera. Njerëzit ndaj e duan këtë emision, sepse ndihen të përfshirë brenda saj. Ndonjëherë është bukur të rrish edhe me njerëz të thjeshtë, që nuk i njeh, sepse nga cilido prej tyre mund të marrësh pak për të bërë një buqetë të bukur më pas. Si arkitekt mund të flasim për shumë gjëra të përditshme, për shembull kur futesh në një hyrje pallati që s’ka asnjë dritare, apo kur sheh ashensore që më shumë ngjajnë me arkivole, por në këtë aspekt nuk ke çfarë të bësh, sepse ajo që është bërë nuk kthehet pas”, tregon Florjan Binaj.

Dita e tij është shumë e ngjeshur

“E filloj me zgjimin dhe shkoj symbullur deri në dush që të më hapen sytë. Pasi luaj pak me vajzën bëhem gati për punë. Atje duhen mbyllur shumë punë njëkohësisht, ndërsa më pas kthimi në shtëpi, ku kalohet pjesa tjetër për të zgjidhur punët e nisura paradite, sepse përgjithësisht nuk më pëlqen t’i zvarris gjërat. Gjëra këto që më kushtojnë shumë kohë…”

Flori njihet më së shumti i “aktori i Portokallisë”, për shkak të popullaritetit të këtij spektakli, por edhe prej impaktit të drejtpërdrejtë të televizionit, krahasuar me profesionet e tjera. A do t’i pëlqente atij që publiku të vazhdonte ta identifikonte kështu edhe pas shumë vitesh? Si e imagjinon Flori përshtypjen që do të ketë te publiku pas shumë vitesh?

“Për sa kohë që jam i zoti në këto punë që bëj, është gjë e mirë që publiku të identifikon kështu. Besoj se edhe humori është me modë dhe e vetmja mënyrë për të mbijetuar gjatë në treg është duke iu përshtatur tregut. Kemi parë shumë breza humoristësh që janë lënë paksa në hije, apo që nuk janë aq të fuqishëm sa dikur, për të vetmen arsye sipas meje, nga përshtatshmëria. Teoria e evolucionit ka një parim: më i forti mbijeton! Ai që përshtatet me vështirësitë, mbijeton”.

Një pyetje që nuk mund të mos i bëhej Florit është pikërisht edhe kjo: sa e vështirë është që njerëzit ta marrin seriozisht atë, gjatë kohës që ai kërkon të jetë i tillë, apo kërkon t’u imponohet me gjëra serioze?

“Kjo është një nga situatat më të zakonshme me të cilat përballem kur takoj njerëz të ndryshëm. Shumë mbesin të mërzitur, sepse presin që t’i bëj për të qeshur, e jo të jem serioz. Për të gjithë këta kam një përgjigje: puna është punë, qejfi është qejf. Për sa kohë që nuk njihemi mjaftueshëm, s’kam sesi të hapem duke bërë humor. Normalisht me miqtë e mi është tjetër raport. Shumë njerëz e marrin seriozisht këtë punë dhe është një problem i madh, sepse mendojnë që ajo që bëjmë ne në skenë është jeta jonë reale. Mendojnë se ne jemi karagjozë edhe në jetën e përditshme, ndaj dhe jemi në Portokalli. Ne jemi ndonjëherë karagjoza në jetën e përditshme (qesh), sidomos pas eklipsit kemi qenë shumë…”, shpjegohet Flori.

Jo vetëm “Portokalli” në Top Channel, por edhe “Rikoshet” në Top Albania Radio… Kur është ndierë më keq Flori, sepse nuk e kanë marrë seriozisht?

“Sigurisht, kur unë kam pasur njëherë probleme me shtyllën kurrizore dhe u drejtova në një nga qendrat e masazheve, duke menduar se do të ishte një problem muskulor. Mezi po ngjitesha në shkallë, madje edhe duke u zvarritur. Ato dy vajzat që ishin aty sapo më panë nisën të qeshnin me të madhe, kujtonin se po bëja ndonjë skeç dhe u shkrinë gazit. U thoja se isha shumë keq, por ato vazhdonin me të qeshura, deri sa erdhi një moment dhe kuptuan që me të vërtetë isha keq. Ka ndodhur edhe herë të tjera, kur kam shkuar në spital. E marrin gjithnjë sikur ne jemi në rol, sikur ne aktorët nuk sëmuremi, nuk vritemi apo lëndohemi”, tregon Flori.

Por, që kur i ka hedhur rrënjët humori te Flori? Kur e kuptoi Flori që humori i tij nuk ishte thjesht përsonal dhe për një rreth të ngushtë, por një humor që do të funksiononte e do të ngjiste edhe ndaj masave? Realisht është shumë e kehtë që të qeshin të gjithë në një tavolinë, por jo dhe aq të bësh për të qeshur masa të tëra duke dalë në televizion.

“Që prej fillimeve të adoleshencës imitoja gjithë shokët dhe shoqet e lagjes. Imitoja edhe prindërit e tyre dhe krijoja situata komike. Ka pasur nga ata shokë që më tregonin mua barcoletën, e pastaj prisnin t’iua rithoja unë, sepse e interpretoja më mirë. Edhe në 8-vjeçare vala e imitimeve ka qenë e fortë. Aq sa në provimin e Letërsisë, gjatë provimeve të lirimit, pasi i thashë të 40 vjershat përmendësh, për shkak se nëndrejtori donte të kapej, më kërkoi të bëja imitime. Nëse do të imitoja mirë, do të vlerësohesha me notën 10, e kështu ndodhi. Në gjimnaz ka ardhur e është forcuar edhe më shumë sensi i humorit, aq sa në vit të katërt ishin shokët e mi të klasës që më shtynë të provoja… Këmbëngulja e tyre më bëri të merrja guximin dhe të bëja audicionet për në Portokalli. Sigurisht që kisha frikë se nuk do të funksiononte dhe pasiguria ime ka qenë e jashtëzakonshme. Dalja ime e parë në skenë ishte një shpërthim brenda në zemër. Nuk e ndieva fare zemrën gjatë atyre minutave që isha në skenë, por pasi kam dalë ndieva sërish rrahjet. Një mpirje totale. Sot janë bërë thuajse 12 vjet nga ajo ditë…”, tha më tej Flori.

Dhe sot, a është më i sigurt Flori që humori i tij funksionon…?

“Sot jam i sigurt kur dal në skenë, e them me bindje të plotë atë që kam përgatitur gjatë javës dhe besoj se, kushdo për kaq shumë vite do të ishte bërë i zoti ta bënte publikun për vete. Kushdo do të ishte në gjendje t’i thoshte publikut: më shiko mua, ki mendjen dhe më dëgjo, sepse do them diçka që do të të pëlqejë! Vetëm se jo drejtpërdrejt, por nëpërmjet mënyrave të tjera, me xheste dhe fjalë të tjera. Sa i përket humorit, besoj se fjalën më të drejtë e thotë publiku, s’më takon mua”, u shpreh Flori.

E nëse do të veçonte mes personazheve të të gjithë këtyre viteve, se cili i ka pëlqyer më shumë publikut dhe cili i ka pëlqyer më së shumti vetë Florit, ai shprehet:

“Sigurisht që do të përmendja vetëm policin. Sado që kam bërë shumë personazhe në gjithë këto vite, njerëzit kur më shohin në rrugë më identifikojnë me këtë rol. Nuk e di nëse është polici kaq qesharak në realitetin shqiptar, që e ka bërë publikun ta pëlqejë kaq shumë këtë rol, apo nëse e solla unë policin ashtu siç donin ta shikonin ata. Di të them se polici është pak qesharak me thënë të drejtën, ndërsa unë e lëshova fare përtokë. Kam bërë të kundërtën e asaj që do të bëja unë si Flori dhe kjo formulë rezultoi shumë e suksesshme. Një polic që është tërësisht i shkujdesur, hiqet si profesionist atëherë kur nuk merr vesh, e shumë të tjera. Patjetër që kam studiuar stereotipin e veçantë, sepse çdo personazh që bëjmë në Portokalli, një pika referimi nga personazhe të ndryshme, qoftë edhe nga ndonjë i vetëm. Në të vërtetë, Kol Frakusha nuk ekziston, pavarësisht se biseda më e madhe që bëhet nëpër tryeza kafenesh është në lidhje me personin që i ngjan më shumë rolit”.

Flori bën pjesën më të madhe të skenareve të roleve të tij, e ndonjëherë edhe të kolegëve të tjerë. Së fundi ka dorë edhe në serialin “Dekalogu Kuqezi”, i cili ka nisur të shfaqet prej ditës së djeshme (e enjte) në Digitalb. Gjysma e skenareve të tij mban firmën e Florjan Binajt. Si ka nisur kjo dhunti tjetër për të?

“Gjithçka ka nisur me Portokallinë. Trupa e aktorëve shtohej gjithnjë e më shumë dhe ishte e vështirë për dy skenaristët e kësaj shfaqjeje, që të përballonin një numër kaq të madh skenaresh. Ndaj u detyruam të vrisnim ndonjëherë mendjen vetë, të shtonim ndonjë batutë, apo të merrnim ndonjë barcoletë për ta përshtatur me numrat e radhës. Erdhi një ditë që nisëm të shkruanim materiale nga fillimi në fund. Askush nuk e priste, ashtu sikurse nuk e prisja që një ditë do të bëhesha aktor, apo që do të qëndroja kaq gjatë në Portokalli. Nuk e prisja që do të bësha shkrimtar i roleve të mia, por gjithçka besoj se është çështje pene. Shqipëria është një vend shumë i vogël, dhe po kaq pak i ka edhe artistët, shkrimtarët, aktorët, muzikantët etj. Kam fituar një dimension të ri, gjithnjë bazuar në personazhin tim, pasi kur ke thuajse çdo gjë gati, është më e lehtë të dish se ku të mbyllësh të çarat e vogla”, tha Flori.

Sa i përket “Dekalogut Kuqezi”…

“Dekalogu është një projekt i ideuar dhe filluar nga Digitalb me qëllimin për të bashkuar dy popujt tanë, që jetojnë në dy shtete të ndryshme, nëpërmjet humorit. Situata të përjetuara nga shqiptarët, kur kanë shkuar në Kosovë, apo të kosovarëve, kur kanë ardhur në Shqipëri, të gërshetuara bashkë. Ka shumë nota autoironie, sepse ne shqiptarëve nuk na pëlqen diçka e tillë. Preferojmë të shohim tjetrin të tallur dhe jo të na tallin neve, por autoironia është një ilaç për të hequr disa vese të ndryshme që kemi. Janë marrë aktorët më të mirë të përzgjedhur nga Kosova, Stupcat, dhe tre nga Shqipëria; unë, Gazmend Paja dhe Besart Kallaku; me regji të Altin Bashës dhe skenar të Stupcave dhe timin. Janë 10 seri të ndryshme që nuk kanë asnjë lidhje me njëra-tjetrën, përveç shkrirjes mes shqiptarëve të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë. Seria e parë e transmetuar dje është pritur shumë mirë. Bëhej fjalë për ministrat te Lidhja e Prizrenit, që ishin mbledhur për të unifikuar lëndët etj, por që në fakt e kanë mendjen diku tjetër. Seria e dytë do të ketë të bëjë me ushtarët, apo stërvitje e përgjithshme e Forcave Speciale të Kosovës dhe atyre të Shqipërisë, që nga një stërvitje rutinë kalon tërësisht në çështje personale, me inate të ndërsjellta. Është një projekt shumë i madh, investim shumë i madh dhe i regjistruar për 2 muaj në ekstremitetet e vapës dhe të shiut, të pagjumësisë etj”.

Por Flori ka edhe një tjetër projekt në mendje… gjithnjë sa u përket pjesëzave të skenareve të të gjithë roleve të tij.

“Prej gati 3 vitesh kam dëshirë që të gjitha këto t’i publikoj në një libër, por s’po bëhem mbarë sepse s’kam kohë, dita ka vetëm 24 orë… Idea është për një projekt për bërjen e një libri për fëmijët, me titull ‘Aventurat e policit’. E jo rastësisht për fëmijët, sepse prej 6 muajsh jam bërë edhe baba i një vajze, për të cilët sigurisht që e gjej kohën ta përmbush detyrën sa më mirë të mundem. Gjithmonë i kam dashur fëmijët, shumë madje, sepse kam pasur fatin e të jetuarit me një vëlla më të vogël, plot 11 vjet diferencë, që në njëfarë mënyre e kam rritur edhe unë. I lidhur shumë kam qenë edhe më djemtë e tezeve, ndërsa tani erdhi momenti që të kisha edhe unë fëmijën tim. E kisha planifikuar këtë, sepse i kisha vënë qëllim vetes që sapo të mbaroja shkollën do të bëhesha baba. Kështu ndodhi… Nuk di si ta përshkruaj, madje për ata që s’e kanë provuar, ndoshta nuk do e besojnë por është tjetër lloj pagjumësie kur nuk je baba dhe tjetër kur je i tillë. Është një ndjesi shumë e çuditshme kur sheh një krijesë tënden që qan, për të cilën duhet të jesh mbrojtësi më i madh. Kjo është dashuria më e madhe në jetë”, rrëfen disa copëza nga jeta e tij private, Florjan Binaj.

Vajza, me emrin shumë të veçantë: Krena!

“Vendosa për emrin Krena, sepse doja të ishte një emër krejtësisht i veçantë, krejtësisht shqiptar, dhe besoj se ndonjëherë emri ndikon në njëfarë mënyre te njeriu, për t’u bërë dikushi. Krena është shkurtim i fjalës krenari, vjen edhe nga shqiponja me dy krena. Dua që, ashtu si çdo prind, fëmija të jetë krenaria ime, krenaria jonë. Nuk kam pasur debate me bashkëshorten për emrin, pavarësisht se në fillime kishim ato propozimet e secilit, nga 10 secila palë. Por kur më shkrepi në kokë për këtë emër, ramë dakord menjëherë. Sa i përket kohës që i kushtoj vajzës… Për shkak të punës së ngarkuar, të gjithë kohën e lirë që më mbetet dua ta kaloj me të dhe me nusen. Përpiqem njëkohësisht edhe t’i krijoj kushtet që të jetë sa më e afërt me familjen, pasi ne jemi një familje shumë e lidhur dhe dëshira ime është t’i shoh gjithmonë bashkë që të gjithë, si në momente hidhërimi, edhe në momente gëzimi. Mendoj se kjo është fuqia më e madhe shpirtërore, që i mban njerëzit gjallë. Megjithatë (qesh) Krena besoj se është vetëm fillimi dhe nuk do të ndalem, pasi gjithnjë nëse gjërat ecin mirë kam dëshirë të kem 3-4 fëmijë, edhe pse është shumë e vështirë sot të rrisësh fëmijë. Nuk ia vlen të llogarisësh kostot sesa do kushtojnë shumë gjëra, por gjëja më e shenjtë dhe shtrenjtë në këtë botë është të kesh një fëmijë. Nëse do i hynim llogarive, mjafton të përmendim paketat e cigareve, një helm në fund të fundit, që janë po aq sa do një fëmijë për t’u rritur. Ndaj ia vlen të sakrifikosh diçka të vogël nga vetja, për t’iu plotësuar kushtet fëmijëve, sepse kur vjen një moshë e pleqërisë, janë pikërisht fëmijët pasqyrë e investimit tënd dhe fryteve të punës që ke bërë ndër vite. Një fëmijë është pak, 3 thonë që janë shumë, ndërsa për mua 4 janë mirë (qesh)”, rrëfen gjithçka nga jeta e tij private Flori.

Si do të donte Flori ta shihte fëmijën e tij në jetë, të realizuar në çfarë mënyre?

“Si fillim dua t’i jap shumë pasione, ta nxis të dashurojë sportin, natyrën, artin e shumë të tjera. Pastaj, se ku do ta gjejë ajo veten më mirë, aty do të investoj edhe unë që ajo të jetë e mbushur shpirtërisht dhe në të gjitha drejtimet. Nuk dua ta mësoj me tableta, me të cilat rrinë 24 orë ulur duke luajtur, e që nuk kanë një pasion të tyrin, nuk dinë as të gjuajnë një top, nuk dinë as të notojnë. Pavarësisht se këtu në Shqipëri mundësitë janë të pakta, do të përpiqem të bëj maksimumin. E di që mund ta nxirrja që tani në një Kopësht Zoologjik për shëtitje, por ky që kemi ne nuk është i tillë dhe shumë mirë që e mbyllën. Megjithatë, jemi fatlumë që Ballkani ofron shumë kushte se ku mund ta çosh fëmijën, pa pasur nevojën të largohesh shumë larg, duke nisur me vendet tona fqinje, por edhe pak më larg, drejt Kroacisë e Turqisë. Mbi të gjitha dua që ajo të jetë e pavarur dhe të ndërtojë jetën e saj, e të bëjë jetën që do vërtet. Nëse do i rikthehesha temës së arkitektit, do të ishte një temë shumë e mirë diplome projekti për ndërtimin e një kopshti zoologjik, pasi fëmijët kanë shumë nevojë për parqe ku të luajnë. Kanë nevojë te jenë fëmijë, e jo robotë”, flet Florjan Binaj, i cili në fund thotë se nuk mërzitet kurrë nga ajo që bën me humorin e Portokallisë dhe premton se për sa kohë do të jetë i zoti t’i bëjë shqiptarët të qeshin do ta bëjë.

Top Channel