Arabia Saudite vazhdon sulmet ajrore mbi Jemen

28/03/2015 00:00

Avionët luftarakë të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë bombarduar Jemenin për të tretën natë rresht, duke goditur rebelët shiitë të etnisë houthi, që përpiqen të avancojnë drejt portit të Adenit.

Avancimi i rebelëve ka shkaktuar përleshje në rrugët e Jemenit me forcat besnike të presidentit Abdrabbuh Mansour Hadi, që braktisi Adenin dhe aktualisht ndodhet në një samit të Lidhjes Arabe.

Ish-presidenti Ali Abdullah Saleh, mbështetësit e të cilit po luftojnë përkrah rebelëve, ka bërë thirrje për armëpushim.

Por Arabia Saudite është zotuar të mbrojë qeverinë e zotit Hadi nga rebelët. Perandoria sunite ka akuzuar fqinjin e saj rival, Iranin shiit, për mbështetje të rebelëve houti.

Ajo ka mobilizuar një koalicion, ku përfshihen shtetet e Gjirit Arab dhe Egjipti, për të zmbrapsur avancimin e rebelëve, në një mision të koduar me emrin “Operacioni: Stuhia Vendimtare”.

Presidenti amerikan Barack Obama zhvilloi të premten një bisedë telefonike me mbretin saudit Salman, duke riafirmuar mbështetjen e tij për aksionin ushtarak, ka bërë të ditur Shtëpia e Bardhë.

Obama dhe mbreti Salman ranë dakord se qëllimi i tyre është arritja e një stabiliteti afatgjatë në Jemen përmes një zgjidhjeje politike të negociuar, thuhet në një deklaratë.

Ndërkohë, ushtarët amerikanë shpëtuan dy pilotë saudite të cilët u hodhën me parashutë nga avioni i tyre luftarak “F-15” ditën e premte, bëri të ditur Departamenti i Mbrojtjes.

Ata u shpëtuan në ujëra ndërkombëtare nga një helikopter i nisur nga Xhibuti, pas kërkesës për asistencë të bërë nga pala arabe, pasi avioni pësoi një defekt teknik.

Top Channel