Somali, ushtria çliron pengjet në një hotel; të paktën 14 të vrarë

28/03/2015 00:00

Trupat qeveritare somaleze kanë marrë nën kontroll pas disa orë luftime një hotel në kryeqytetin Mogadishu, që ishte zaptuar nga militantët e grupit Al Shabab.

Të paktën 14 persona janë vrarë në përplasjen e armatosur në hotelin “Maka al Mukarama”, përfshirë këtu ambasadorin somalez në Zvicër. Diplomatë të tjerë që ndodheshin atje u hodhën nga dritaret për t’i shpëtuar zjarrit të militantëve.

Forcat speciale somaleze, të stërvitura nga specialistë amerikanë, kanë arritur të marrin nën kontroll hotelin e madh pasi kanë eleminuar të gjithë terroristët, por edhe duke pësuar humbje në radhët e tyre.

Sulmi nisi kur një atentator vetëvrasës shpërtheu auto-bombën e tij jashtë ndërtesës dhe më pas militantët hynë brenda duke hapur zjarr si të çmendur. 28 persona kanë mbetur të plagosur.

Hotelet në Mogadishu shpesh herë vihen në shënjestër të militantëve të Al Shabab, të cilët rezultojnë të jenë tërhequr nga qyteti vite më parë, por që edhe kontrollojnë zonat rurale në jug të tij.

Një zëdhënës i grupit deklaroi për BBC se hoteli u sulmua për shkak të popullimit të tij nga zyrtarë të qeverisë. “Ne nuk e konsiderojmë atë një hotel, por një bazë qeveritare”, tha zëdhënësi.

Më herët gjatë muajit një tjetër auto-bombë shpërtheu përpara hotelit në fjalë, me rebelët islamikë të lidhur me Al Kaedën që morën përsipër përgjegjësinë e sulmit.

Top Channel