Ish-partnerja e pilotit: Ai e kishte paramenduar ngjarjen

28/03/2015 00:00

Piloti i dytë i “Germanwings” që mendohet se e përplasi qëllimisht avionin në Alpet franceze duke vrarë 150 persona, kishte thënë se, “një ditë të gjithë do të njohin emrin tim”.

Këtë e ka bërë të ditur ish-e dashura e tij, e cila në një intervistë për gazetën gjermane “Bild” ka kujtuar fjalët e thëna nga Andreas Lubitz vitin e kaluar.

“Një ditë unë do të bëj diçka që do të ndryshojë gjithë sistemin dhe të gjithë do të mbajnë mend emrin tim”, janë fjalët e pilotit, të cituara nga ish-partnerja e tij.

Kjo e fundit, një stjuardesë 26-vjeçare që kishte fluturuar me Lubitz për 5 muaj vitin e kaluar, tha se ishte ndjerë e shokuar kur kishte marrë vesh lajmin e rrëzimit të avionit ditën e martë.

“Nëse Lubitz e rrëzoi qëllimisht avionin, ai e bëri këtë sepse e kuptoi që për shkak të problemeve shëndetësore, ëndrra e tij e madhe për një punë tek “Lufthansa” si kapiten ishte praktikisht e pamundur”, tha vajza për “Bild”.

Kutia e zezë që regjistroi zërin tregoi se Lubitz u mbyll në kabinën e pilotit, duke lënë kapitenin jashtë dhe e përplasi avionin me malet, në atë që duket të ketë qenë një vetëvrasje dhe vrasje në masë.

Prokurorët gjermanë kanë deklaruar ndërkohë se kanë gjetur dokumente mjekësore në shtëpinë e pilotit, që sugjerojnë ekzistencën e sëmundjes së tij dhe vërtetojnë trajtimin e tij mjekësor. Ata thonë se Lubitz ua kishte fshehur sëmundjen punëdhënësve të tij.

“Ne u ndamë sepse u bë e qartë që ai kishte probleme. Ai kishte makthe dhe zgjohej natën duke klithur: po rrëzohemi”, ka treguar më tej ish-e dashura e tij.

Ndërsa një ish-shok i shkollës së pilotëve ku Andreas Lubitz kishte marrë mësime tha për BBC se ai e njihte zonën e Alpeve ku përplasi avionin, pasi kishte qenë ajte me pushime.

Top Channel