Vijon riatdhesimi i kosovarëve, programe për riintegrimin

28/03/2015 00:00

Vazhdojnë riatdhesimet e kosovarëve të larguar muajt e fundit me autobusë drejt vendeve të Bashkimit Evropian. Në aeroportin e Prishtinës të premten kanë mbërritur 11 persona nga Norvegjia.

Valon Krasniqi, nga Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, departament ky që funksionon në kuadër të Ministrisë se Brendshme, ka deklaruar për Radio Europa e Lirë se, “deri të mërkurën janë kthyer 2.679 persona, kryesisht nga Gjermania, Hungaria, Austria dhe Belgjika”.

Pas kthimit të këtyre qytetarëve në Kosovë, çështja kalon tek Departamenti për Riintegrimin e Personave të Riatdhesuar. Ata nuk përfitojnë nga programi i riintegrimit, por nga disa skema të natyrës urgjente.

“Të kthyerit mund të përfitojnë punësim dhe aftësim profesional. Pra, regjistrohen në zyrat e punësimit si punëkërkues dhe ndërmjetësohet nga programi, i cili aktualisht është financuar nga misioni i Kombeve të Bashkuara për Zhvillim, UNDP, në bashkëpunim më Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, ka sqaruar Fahrije Ternava Sheremeti, drejtoreshë e Departamentit të Riintegrimit.

Top Channel