Doshi e Frroku në “arrest shtëpie”. Avokatët kundër vendimit të Gjykatës së Lartë

28/03/2015 00:00

Përkundër traditës kur Gjykata e Lartë nuk i ka hapur asnjëherë dyert në fundjavë për procese gjyqësore, rasti i deputetëve Tom Doshi dhe Mark Frroku e theu këtë tabu.

Herët në mëngjes shorti me gogla vendosi Kolegjin Penal që do të shqyrtonte kërkesat e Prokurorisë së Përgjithshme për vlerësimin e ndalimit të dy deputetëve dhe caktimin e masës së sigurisë.

Shorti caktoi gjyqtarët Artan Zeneli, Admir Thanza, Aleksandër Muskaj, Majlinda Andrea dhe Guxim Zenelin relator. Deputeti Mark Frroku, i shoqëruar nga forcat Shqiponja kaloi hyrjen e pasme të gjykatës me pranga në duar, por kjo nuk e pengoi atë për t’i dhënë një mesazh për të afërmit e tij me duart e bashkuara.

Pak minuta pas tij hyri edhe deputeti Tom Doshi, të cilit i ishin vendosur prangat me një teknike tjetër, duke u lidhur përdore me një efektiv të policisë. Ky ishte shkaku që atij nuk i dukeshin prangat, veprim i cili mbase e ka qetësuar krenarinë e deputetit shkodran.

Pas më shumë se tre orë qëndrimesh mes prokurorëve dhe avokatëve mbrojtës, gjykata shpalli unanimisht së pari masën “arrest shtëpiak” për Frrokun, duke rrëzuar në këtë mënyre Prokurorine që kërkoi “arrest me burg”.

Gjykata e konsideroi ndalimin e Frrokut të ligjshëm dhe shtoi  se deputeti nuk duhet të komunikojë me askënd, përveç familjarëve të tij. Avokatët e tij sidoqoftë dolën të pakënaqur nga ky verdikt.

“Prokuroria ka vepruar në mënyrë të jashtëligjshme duke ushtruar presion ndaj gjykatës. Prokuroria i qëndroi qëndrimit të saj. Ne do ta kundërshtojmë këtë vendim, pasi absolutisht nuk ka asnjë provë. Të gjitha provat janë në favor të klientit tonë”, deklaroi Gjokutaj.

Edhe për deputetin Tom Doshi Gjykata e Lartë shpalli masën “arrest shtëpiak”, duke e konsideruar gjithashtu ndalimin të ligjshëm e duke e ndaluar atë që të komunikojë me persona të tjerë përveç të afërmve.

“Do shkojmë në Gjykatën Kushtetuese, edhe në Strasburg për këtë vendim”, tha avokati Vladimir Meçi.

Por ndërsa në dalje Tom Doshi e Mark Frroku u pritën me duartrokitje nga të afërmit, në hyrjen kryesore prokurorët e çështjes dhe gjyqtarët u pritën vetëm nga gazetarët. Ata dolën në heshtje duke u larguar, të parët drejt organit të akuzës dhe të dytët mbase për një fundjavë më të bukur.

Top Channel