Sot, arrestimi i dytë për Mark Frrokun. Këshilli i Mandateve mblidhet në 16:00

29/03/2015 00:00

Gjykata e Lartë vendosi ditën e shtunë masën e “arrestit në shtëpi” për deputetin Mark Frroku, por ky i fundit rrezikon të përfundojë sërish në qelitë e policisë.

Prokuroria e Përgjithshme ka dorëzuar një tjetër kërkesë për autorizim arrestimi në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, ku i kërkon Kuvendit autorizimin për arrestimin e Frrokut për llogari të drejtësisë belge.

Kuvendi njoftoi dje, përmes një komunikate për mediat, se Këshilli do të mblidhet sot, në orën 16:00 për të shqyrtyar kërkesën për autorizim për arrestimin e Frrokut.

Belgjika kërkon arrestimin e deputetit Mark Frroku, i dënuar në këtë shtet me 10 vjet burg për vrasje.

Kërkesa zyrtare për arrestimin e deputetit Frroku mbërriti mbrëmjen e së premtes pranë Interpol Tirana, që i ka kërkuar Prokurorisë së Përgjithshme të zbatojë urdhër-arrestin.

Nëse edhe këtë herë do të jepet aprovimi, atëherë ndaj Mark Frrokut mund të nisin procedurat për ekstradimin në shtetit belg, ku duhet të vuajë dënimin me burg për akuzën e vrasjes së shtetasit Aleksandër Kurti, më 5 Mars të vitit 1999.

Top Channel