Senati amerikan pranon ambasadorin e ri në Prishtinë

28/03/2015 00:00

Senati amerikan ka pranuar emërimin  e Presidentit Barack Obama për ambasador të ri në Kosovë.

Gregory T. Delawie do të jetë përfaqësuesi i ri diplomatik i SHBA në Republikën e Kosovës. Gregory T. Delawie, punonjës i Shërbimit të Jashtëm që prej vitit 2012, punon si zv.Ndihmës i Sekretarit të Byrosë së Kontrollit, Verifikimit të Armëve në Departamentin e Shtetit.

Me një karrierë 30-vjeçare si ekspert i sigurisë kombëtare dhe çështjeve ushtarake ambasadori i ardhshëm i Kosovës flet italisht, gjermanisht, gjuhën kroate dhe turqisht.

Gjatë karrierës së tij Delawie ka shërbyer ndër të tjera edhe në misionet amerikane në Berlin, Ankara, Frankfurt, Romë si dhe në Zyrën Rajonale të Punëve Politike-Ekonomike të Byrosë së Europës dhe Kanadasë, në Qendrën e Operacioneve të Departamentit të Shtetit dhe Zyrën Politike të Aviacionit në Byronë e Çështjeve Ekonomike dhe të Biznesit.

Delawie ka përfunduar studimet për ekonomi në Harvard.

Top Channel