Veteranët e UÇK-së protestë për listat dhe gjykatën speciale

28/03/2015 00:00

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Luftëtarëve të UÇK-së ka paralajmëruar demonstratë kundër zvarritjes së publikimit të listave të veteranëve dhe kundër themelimit të Gjykatës Speciale.

Protesta e ish-luftëtarëve të UÇK-së do të fillojë të Hënën në orën 12 në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, për të vazhduar në drejtim të Kryeministrisë. Anëtari i këtij këshilli, Naim Gashi gjatë një konference për media ka thënë se kërkesat janë publikimi i listave të veteranëve të UÇK-së dhe zbatimi sa më i shpejt i ligjit për këto kategori, kundërshtimi i themelimit të Gjykatës Speciale dhe ndryshimi i disa amadamenteve të projektligjit për këtë kategori, sepse një pjesë të veteranëve i përjashton nga gëzimi i të drejtave të tyre ligjore.

Sipas kryetarit të KMDL të UÇK-së, Xhevdet Qeriqi duke marrë parasysh pakënaqësitë e mëdha, situata mund të dalë jashtë kontrollit.

“Tensionet janë shumë të mëdha sepse ky komision ka prodhuar presione psiqike me gjithë padrejtësitë që janë bërë prej 16 viteve dhe gjithçka mund të dal jashtë kontrollit, pra çdo vendim i veteranëve në këtë demonstratë do të respektohet nga unë”, ka thënë Qeriqi.

Ai shtoi se përgjegjësitë mbi atë që mund të ndodhë në demonstratë t’i mbajnë komisioni dhe Qeveria e Kosovës që po zvarrit këtë proces. Listat nuk jane publikuar ende zyrtarisht, ndërsa afati i fundit është data 31 Mars.

Top Channel