Frroku: Po sulmohem politikisht. S’kam kryer krim në asnjë vend

28/03/2015 00:00

Pak orë pasi ndaj tij Gjykata e Lartë vendosi masën e sigurisë “arrest
në shtëpi”, deputeti Mark Frroku përmes një postimi në rrjetin social
Facebook thotë se procesi i ngritur ndaj tij është i motivuar
politikisht.

Sipas tij, për t’u bindur më shumë se procesi ka prapavijë politike, shërben akuza e radhës e Prokurorisë, e cila ka dorëzuar në Kuvend kërkesën për arrestimin e Mark Frrokut, që sipas organit të akuzës, është autor i një vrasjeje të ndodhur në vitin 1999 në Belgjikë.

“Të gjitha sulmet janë të motivuara politikisht, ku pjesë e kësaj lufte të neveritshme, fatkeqësisht tashmë është bërë edhe prokuroria. Shembull i qartë i këtij shpërdorimi është edhe akuza e radhës që më ka bërë kryeprokurori. Unë e kam deklaruar dhe po e them edhe sonte se nuk kam kryer asnjë krim dhe nuk jam dënuar as në Belgjikë dhe në asnjë vend të botës”, shkruan Frroku.

Deputeti i Qarkut të Shkodrës thotë se do ta vazhdojë deri në fund betejën ligjore dhe politike. Për të Gjykata e Lartë “nuk dha sot thjeshtë një vendim, por tregoi se në këtë vend ka ende shpresa se jepet drejtësi”.

“Ky vendim ishte njëherësh edhe një mesazh i fortë edhe për Kuvendin, i cili duke autorizuar arrestimin e dy deputetëve, shënoi një akt të paprecedent në historinë e jetës parlamentare, duke iu bindur verbërisht kërkesave antiligjore dhe antikushtetuese të organit të akuzës”, shkruan ndër të tjera ai.

Top Channel