Maqedoni, Ahmeti kërkon përfshirjen e shqiptarëve në dialogun për krizën

29/03/2015 00:00

Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti ka theksuar se, pa përfshirjen e faktorit shqiptar në dialogun për tejkalimin e krizës politike në Maqedoni, zgjidhja nuk mund jetë e qëndrueshme.

Këtë deklaratë, Ahmeti e ka bërë një ditë pasi u konfirmua lajmi se negociatat, që nisin të hënën në Bruksel për krizën në Shkup, do të zhvillohen vetëm midis partive maqedonase, VMRO-DPMNE-së në pushtet dhe LSDM-së në opozitë.

“Pa paragjykuar rezultatin e dialogut politit, i cili duhet të rikthejë stabilitetin politik në vend, të hapë rrugën për zgjidhje institucionale të aferës së përgjimeve, të rivendosë demokracinë parlamentare, ne të BDI-së besojmë fuqishëm, që ky dialog duhet të prodhojë edhe konsensus kombëtar, mbi nevojën e zgjidhjes së çështjes së emrit me kontribut konstruktiv. Kjo do të na hapë rrugën, që të rikthehemi në agjendën tonë të integrimit euroatlantik”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Gjatë fjalës së tij në Kongresin tematik të BDI-së, lideri i partisë tha se rruga e Maqedonisë drejt Brukselit kalon përmes implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Me këtë rast, Ahmeti porositi politikanët maqedonas të shmangin paragjykimet dhe të angazhohen për një Maqedoni, ku të gjithë qytetarët do të ndihen të barabartë.

“Ne duhet të ndryshojmë dhe t’i largojmë paragjykimet, ndërsa VMRO-ja dhe LSDM-ja duhet që të gjejnë forcën dhe të tregojnë me guxim lidership për të punuar dhe për të pranuar, që Maqedonia e Ohrit, Maqedonia e barabartë, Maqedonia e të gjithëve është e vetmja Maqedoni edhe e imja, edhe e Nikollës, edhe e Zoranit. Kjo është fryma, që bart me vete Marrëveshja e Ohrit, frymën e pajtimin, konsensualitetit dhe, pikërisht ky konsensualitet i bën të qëndrueshme politikat tona”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

Në Kongresin tematik të BDI-së kanë mbajtur fjalime edhe diplomatët ndërkombëtarë Piter Fejth, Ervan Fuere, Aleksandar Malas, si dhe politikanë nga Shqipëria e Kosova. Në këtë kongres dyditor pritet të miratohet edhe një rezolutë, ku do përfshihet edhe orientimi i mëtejshëm politik i BDI-së.

Top Channel