Lufta civile në Jemen, sauditët tërheqin diplomatët

29/03/2015 00:00

Arabia Saudite ka evakuuar me dhjetëra diplomatë të saj e të huaj nga Adeni, në Jemen. Lëvizja vjen pas një nate të tretë bombardimesh nga koalicioni i drejtuar prej sauditëve, që nuk arriti ta frenonte avancimin e rebelëve Huthi drejt qytetit jugor.

Pikërisht nga Adeni, u largua të mërkurën drejt Arabisë Saudite presidenti i vendit, Abd Rabbuh Mansur Hadi, teksa kryengritësit ngushtonin darën e rrethimit. Hadi do t’u drejtohet liderëve të Ligës Arabe, në samitin e fokusuar te kriza e momentit në Sharm El Sheik të Egjiptit, ku pritet të diskutohet edhe mundësia e një ofensive tokësore kundër rebelëve Huthi, të mbështetur prej kundërshtarit të madh rajonal të Arabisë Saudite, Iranit.

Sauditët, së bashku me Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kuvajtin i zhvendosën ambasadat e tyre në Aden muajin e kaluar, pasi Huthit mësynë kryeqytetin e vendit Sanaa. Mbrëmjen e së premtes, ministri i Jashtëm i Jemenit, Riad Yassin pohoi se ka një ujdi për dislokimin e trupave tokësore të koalicionit të drejtuar nga sauditët në Jemen.

Mbështetje për operacionin ka dhënë dhe presidenti amerikan Barack Obama. Huthit rrjedhin nga zaiditët shiitë, që përbëjnë rreth një të tretat e popullsisë jemenase dhe janë të vendosur në veri të vendit, duke luftuar prej kohësh për t’u bërë pjesë e qeverisjes në vend.

Top Channel