PD, protestë në Kukës. Basha: Rama shiti Frrokun për Metën

29/03/2015 00:00

Në Kukës, Lulzim Basha kishte stacionin e radhës së turit të mitingjeve të demokratëve ndërmarrë në të gjitha qytetet e vendit, sipas tyre, me një motiv të madh: “për të bashkuar zërin e protestës së popullit në këmbë sepse koha nuk pret”.

Ndryshe nga mitingu pararendës, ku kërkoi dorëheqjen e Ilir Metës, në Kukës, Lulzim Basha ka rinovuar qëndrimin e tij pas kërkesës së re për arrestimin e Mark Frrokut, që sipas kreut të demokratëve, vërteton atë që opozita kishte deklaruar një vit më parë, por që Edi Rama, tha ai, e pati mbrojtur në atë kohë deputetin e Shkodrës.

“Po tani, që erdhi kërkesa e Interpolit nga Brukseli, çfarë do të thotë Edi Rama? Çfarë do i thotë popullit që ka ngritur gishtin e akuzës ndaj tij? A do të mbajë përgjegjësi për faktin që e solli në Parlament, e bëri pjesë të vendimmarrjes, votoi ligje me të, e përdori atë për të mbyllur hetimin ndaj Ilir Metës për akuzën më të rëndë të 25 viteve të fundit. I vetmi që nuk thotë asnjëherë fjalën dekriminalizim është Edi Rama”, tha Basha gjatë fjalës së tij.
 
Emri i Mark Frrokut ishte i vetmi që u përmend nga Lulzim Basha, pavarësisht deklarimit të tij se Edi Rama e ka mbushur grupin parlamentar me të inkriminuar. Ndërsa kjo akuzë spikati për kryeministrin, për Ilir Metën gjuha e akuzave e përdorur nga Basha ishte edhe më e gjerë, kur tha se në partinë e tij gjejnë vend të gjithë të korruptuarit: “Kryetari i bashkisë suaj, pasi abuzoi me fondet dhe me administrimin e qytetit, gjeti strehë te LSI-ja e Ilir Metës. Ilir Meta është streha e fundit e maskarenjve.”

21 qershorin, më shumë se datë të lidhur me zgjedhjet vendore, Lulzim Basha e përmendi si ditën kur shqiptarëve, demokratët do t’u japin një ofertë të re, pas një qëndrimi të shprehur te PD-ja për zgjedhje të parakohshme, në një ditë me ato lokale.

“Më të mirët prej nesh do ta çojnë përgjithmonë në arkivin e historisë kohën e maskarenjve bashkë me maskarenjtë”, e mbylli fjalën e tij kreu i PD-së.

Top Channel