ISIS “triumfon” në Siri, bie edhe Idlibi i mbrojtur me fanatizëm nga Assad

29/03/2015 00:00

Koalicioni i ekstremistëve të udhëhequr nga dega e Al Kaedës në Siri arriti të marrë nën kontroll një nga qytetet më të mëdha veriperëndimore siriane, atë të Idlibit, një goditje e fuqishme kjo ndaj presidentit Bashar al Assad.

Idlib është një qendër e madhe urbane, me një popullsi prej rreth 165,000 banorësh, i cili tashmë, pas qytetit të Raqqa-së kthehet në një tjetër bastion të kalifatit islamik, dhe kjo deri diku tregon fuqinë në rritje të grupeve ekstremiste në Siri, të cilët kontrollojnë gati gjysmën e vendit.

Prej thuajse 4 vite luftimesh, qyteti i Idlibit ishte ruajtur me fanatizëm nga forcat e Assadit, kjo edhe për shkak të pozicionit strategjik në kufi me Turqinë. Por mëngjesin e së dielës, shumica e rezidencave qeveritare u pushtua nga ISIS. Mes festimesh në qytet dëgjohej vetëm thirrja e tyre “Allahu Akbar”. Më pas ekstremistët  hoqën edhe flamujt sirianë, duke i zëvendësuar me simbolet e tyre.

Kjo situatë kaotike pritet që të krijojë më tepër tensione në rajon, pasi së bashku me forcat qeveritare pritet një raund i ri sulmesh edhe nga forcat ndërkombëtare. Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut u shpreh se vendi gjendet mes kolapsit dhe vihet re qartë epërsia e ekstremistëve. Ndërkaq, luftimet vazhdojnë mes granatimesh të rënda artilerie.

Gjithashtu nga Turqia do të bashkohet një numër i madh luftëtarësh për të ndihmuar sirianët. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-moon deklaroi se ndihet i zemëruar dhe i turpëruar nga dështimi i botës për të ndalur luftën e Sirisë. Ai premtoi se do të shtojë përpjekjet diplomatike në samitin e ardhshëm të liderëve arabë, në qytetin turistik të Detit të Kuq, Sharm el-Sheikh të Egjiptit.

Më shumë se 220,000 njerëz janë vrarë në konfliktin, i cili ka nisur që prej marsit të vitit 2011.

Top Channel