Reagojnë Balla dhe L. Rama pas akuzave të Bashës

29/03/2015 00:00

Pas mitingut të mbajtur nga Partia Demokratike në Kukës, ku kreu Lulzim Basha dhe deputeti Flamur Noka folën me akuza të ashpra ndaj Qeverisë së drejtuar nga dyshja Rama-Meta, ka ardhur edhe reagimi i Sekretarit të Përgjithshëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Luan Rama dhe nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Luan Rama duket se i është kundërpërgjigjur me “të njëjtën monedhë” kryetarit të opozitës, duke e quajtur atë shtyllë të mediokritetit në këmbë dhe një mosmirënjohës, i cili është i trembur nga humbja e zgjedhjeve lokale të 21 qershorit.

Në lidhje me dekriminalizimin, Luan Rama tha se ai do të ketë efekt prapaveprues për të gjitha dosjet e korrupsionit, për të cilat kërkoi të rihapeshin të gjitha, veçanërisht ato të mbyllura për procedurë, ku përfshihet edhe ajo ndaj Bashës për shpërdorim fondesh në rrugën Durrës-Kukës.

Rama deklaroi gjithashtu se si mazhorancë do të propozojmë ndryshime në ligj, për të mos lejuar më procedura që të mbulojnë korrupsionin në asnjë rang qeverisës.

Menjëherë pas tij ka reaguar edhe nënkryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, i cili e konsideroi vajtjen e Bashës në Kukës si të një hajduti në një shtëpi të vjedhur, duke i përmendur kreut të opozitës se është akuzuar për vjedhjen e 230 mln eurove në Rrugën e Kombit.

“Vonesa në dërgimin e dosjes në gjykatë, justifikuar nga përdorimi i raporteve mjekësore, ishte pazari që mbajti Bashën larg gjykimit dhe dënimit të tij. Ndërsa marrja me çdo kusht e drejtimit të PD-së është vetëm imuniteti i përkohshëm i Lulit”, ka thënë Balla, i cili e mbylli duke shtuar se Basha është i akuzuar edhe për “shitjen” i detit dhe vrasjet e 21 janarit.

Top Channel