Edhe një herë për elitat dhe krizën e modelit

29/03/2015 00:00

Ilir Yzeiri – Para disa ditësh vdiq Lee Kuan Yew, themeluesi i Singaporit të sotëm dhe prej tridhjetë vjetësh Kryeministër i këtij qytet-shteti.

Një personalitet i shquar italian me origjinë hebraike, Roger Abravanel, që është bërë i famshëm sidomos me botimin në vitin 2008 të librit “Meritokracia” që shumë shpejt u bë një bestseller, i kushtoi një analizë të posaçme kësaj ngjarjeje duke botuar në “Corriere della Sera” shkrimin “La lezione utile di Singapore: meritocrazia fa vivere meglio (Leksion i dobishëm nga Singapori: meritokracia të bën të jetosh më mirë” (26 mars 2015). Në këtë analizë ai sjell fakte me një shënjueshmëri të lartë që tregojnë se, meritokracia, nëse zbatohet me kritere të drejta e bën jetën e banorëve të atij shteti më të mirë. Duke analizuar veprën e Kryeministrit të sapondarë nga jeta, ai thotë se reforma e jashtëzakonshme që kreu ky njeri i madh është një model për të gjithë ata që besojnë në vlerat e njeriut. Siç dihet, shkruan ai, kur Lee Kuan Yew e mori pushtetin qytet-shteti i tij ishte në një gjendje katastrofike. Singapori nuk ka asnjë burim të jashtëm. Madje, nuk ka as ujë. Shtrihet në një sipërfaqe prej 718.3 km2 dhe ka rreth 5 milionë banorë. Ndërsa Shqipëria ka 28 000 km2 dhe më pak se 3 milionë banorë. Të mos shtyhemi më tej me krahasimet se Singapori sot quhet një nga katër tigrat e Azisë dhe ka një zhvillim të tillë ekonomik që as nuk mund të përfytyrohet. Sipas Roger Abravanel, kjo vjen për shkak të meritokracisë, sepse Kryeministri i ndjerë që kishte mbaruar Universitetin e Harvardit me rezultate të shkëlqyera vendosi që të shfrytëzojë vetëm një burim që kishte në dispozicion – njeriun. Ai ngriti një sistem që promovonte meritokracinë dhe ndërtoi një administratë publike me parametrat më të mira në botë dhe e bëri dijen dhe kulturën mundësinë e vetme për zhvillim. Sistemi i tij mbështetet në vëmendjen e shtetit për dijen dhe vendosjen e saj si prioritet themelor të zhvillimit. Shkollat dhe universitetet e atij vendi janë ndër më të mirat në botë. Ndërsa Agjencia e Rekrutimit të Personelit që do të punojë në administratën publike i përzgjedh ata që në klasë të pestë ose të gjashtë dhe që në atë moshë u jep bursë shtetërore dhe i dërgon në shkollat më të mira të vendit dhe në universitetet më të mira të botës dhe të vendit me shpenzimet publike. Këtë sistem ajo e përdor për rreth 500 të rinj për çdo vit. Dhe rezultatet janë ato që dihen. Natyrisht, Singapori nuk është demokraci dhe autori i shkrimit thotë se as Italia nuk mund ta ndjekë atë model, por jo për shkak se nuk është demokraci, por për shkak se administrata publike edhe në Itali, në të shumtën e rasteve, është administratë politike. Po te ne?

Ngjarjet e fundit na treguan edhe njëherë tjetër se ne kemi një problem shumë të madh, gati të pazgjidhshëm me elitat dhe modelin e zhvillimit. Unë nuk arrij ende të kuptoj se në çfarë modeli zhvillimi u mbështet vendi ynë në këta 20 e ca vjet tranzicion. I jam referuar në disa raste modelit komunist që u aplikua në Shqipëri për të evidentuar një fakt, pra, që ai regjim e kishte një model, pra u paraqiti shqiptarëve një projekt dhe nisi ta realizojë atë me dhunë ndaj kundërshtarëve politikë duke i eliminuar ata dhe nga ana tjetër u përpoq të krijojë borgjezinë komuniste dhe të bëjë modernizimin komunist. Siç vëren Petër Morgan, studiuesi australian që ka botuar librin e shquar për Kadarenë, “Shkrimtari dhe diktatura”, modernizimi komunist shqiptar u zhvillua ose u krye duke shkelur të drejtat e njeriut. Por kjo është një analizë tjetër. Pas rënies së komunizmit, të gjitha qeveritë që kanë ardhur në pushtet nuk u kanë paraqitur shqiptarëve asnjë model zhvillimi. Si qeveritë e majta si ato të djathta e kanë qeverisur këtë vend duke aplikuar modelin e kapitalizmit të egër që mbështetet në parimin e forcës dhe klientelizmit. Të gjitha qeveritë që kanë kaluar në këtë vend janë paraqitur si pushtuese të këtij vendi dhe e kanë shfrytëzuar pasurinë e këtij vendi për ta ndarë me militantët e tyre dhe me klientët që i mbajnë në pushtet. Në këtë kaos total janë ringjallur instinktet e fisit dhe të besës mafioze. Në pjesën më të madhe, kapitalistët shqiptarë janë kapo fisesh apo katundesh që e kanë vënë pasurinë e tyre me anë të forcës. Ata kapitalistë të paktë që e kanë vënë pasurinë e tyre me djersë dhe me talent nuk përbëjnë modelin e zhvillimit, por një përjashtim. Në të shumtën e rasteve ata vihen nën presionin e shtetit që ose të falimentojnë ose të bëhen pjesë e klientelës. Si ka mundësi që një vend me 28 000 km2 me pasuri përrallore, me një reliev të mrekullueshëm, me diell dhe det nuk arrin dot të ushqejë normalisht më pak se 3 milionë banorë? Mund të ketë shumë arsye, por ajo që duket është se kapitalizmi shqiptar nuk është një kapitalizëm prodhues, nuk është sipërmarrje që angazhon komunitetin apo talentet për të prodhuar me cilësi, por është një sipërmarrje e familjes e fisit që si prodhim të vetëm ka punët që siguron nga buxheti i shtetit. Në kulturën tonë orientale të të menduarit e të të prodhuarit është mashtrimi. Ne jetojmë pranë Italisë, por nuk kemi mësuar prej tyre që të prodhojmë më cilësi dhe të krijojmë markat shqiptare. Vetëm këtu te ne ndodh që sipërmarrësi i një fabrike qumështi, nuk futet në treg që të konkurrojë me cilësinë, me markën shqiptare bio, por futet në treg duke mashtruar dhe duke prodhuar me hile. Ke frikë të blesh mjaltë shqiptar se është me sheqer, ke frikë të blesh qumësht shqiptar se është me qumësht pluhur, ke frikë të blesh sallam shqiptar se është me mish nga Brazili, ke frikë të blesh mish shqiptar se është nga Maqedonia, ke frikë të blesh patate apo qepë se janë nga Turqia, fasulet nga Egjipti. Me të drejtë lind pyetja çfarë është bërë me këtë vend? Pse janë çmendur gati të gjithë? Mund të ketë shumë arsye, por një nga më kryesoret është braktisja e dijes dhe e kulturës dhe rikthimi në gjendjen e fisit. Ngjarjet e fundit me telenovelën tragjike të dy deputetëve vetëm sa na zbuluan pamjen e një modeli që do të ndërtohet me shpejtësi në këtë vend. Sipas këtij modeli, Shqipëria po i shuan elitat dhe vendin e tyre do ta zënë shumë shpejt, të fortët e fiseve, të klaneve kriminale që e shohin këtë vend si çiflig dhe ata veten e tyre si agallarë. Modeli i kapitalistit shqiptar është modeli i beut që e krijon pasurinë e tij jo nga sipërmarrja, por nga pushtimi i një toke, i një veprimtarie dhe nga paratë publike. Qeveria e Edi Ramës po tregon një vullnet që është për t’u përshëndetur. Ajo kërkon të shkëputet nga ky model, por, nga ana tjetër, ajo po na shfaq profilin më të ulët në gjithë këta vjet tranzicion në tri fusha: në arsim, në kulturë dhe në ekonomi. Asnjëherë më keq sesa sot nuk na janë shfaqur këto tri dikastere. Profilet dhe performanca e këtyre dikastereve në këta dy vjet qeverisjeje ka qenë më e dobëta dhe më mediokrja. Arsimi, kultura dhe ekonomia kurrë nuk kanë qenë më keq sesa sot në këta njëzetë e ca vjet. Nëse mazhoranca nuk i korrigjon këto tri dikastere, vendi shumë shpejt do të humbasë të gjitha reflekset e dijes, të kulturës dhe të ekonomisë.

Gazeta ‘Shqip’

Top Channel