Rama: Bashkëpunim mes rajonit tonë dhe vendeve kufitare, anëtare të BE

29/03/2015 00:00

I ftuar përpara auditorit Aurum në Pescara, Kryeministri Edi Rama i mëshoi nevojës së koordinimit dhe bashkëpunimi jo vetëm mes vendeve të rajonit, por edhe mes vendeve të rajonit dhe vendeve të BE-së, veçanërisht atyre kufitare.

“Një nga sfidat më të mëdha të politikës evropiane, dhe në të njëjtën kohë një nga sfidat më të rëndësishme të secilit prej vendeve tona është të bindim qytetarët që “më shumë Europë” dhe “jo më pak Europë” është mënyra kryesore për të dalë nga kjo situatë e vështirë në të cilën ndodhemi aktualisht.” Të kërkojmë zgjidhjen jashtë Europës është si të kërkojmë zgjidhjen jashtë historikes”, tha Kryeministri Rama.  

Duke e quajtur bashkëpunimin e disa vendeve anëtare kufitare me vendet rajonale, si makrorajoni Edi Rama tha se strategjia makrorajonale është rruga e duhur për të konsoliduar bashkëpunimin mes vendeve, si dhe për t’i hapur rrugë realizimit të ëndrrës europiane, vendeve aspirantë për anëtarësim në BE.

“Shpresoj që faza aktive e strategjisë makrorajonale Adriatiko-Joniane të realizojë ëndrrën e 4 vendeve anëtarë të Be dhe të 4 vendeve joanëtare. Në periudhë të shpejtë shpresojmë të përfshihen edhe dy vendet Kosova dhe Maqedonia duke e bërë më të plotë kuadrin e bashkëpunimit. Strategjia makrorajonale është një rrugë e re, është një rrugë e re për të forcuar marrëdhëniet mes vendeve fqinje, por edhe për të forcuar një strategji paqeje përmes bashkëpunimit ekonomik, social”, u shpreh Kryeministri.

Projekti strategjik i makrorajonit Adriatiko-Jonian, është me interes të lartë jo vetëm për Shqipërinë dhe Italinë, por edhe për Ballkanin dhe vete Bashkimin Europian,tha Edi Rama

“Të jemi në gjendje të prezantojmë projekte në sektorët e parashikuar, por para së gjithash të koordinojmë idetë dhe përpjekjet për të konkluduar këtë rrugë. Se nëse do t’ja dalim dhe duhet t’ja dalim, do t’ja dalim vetëm së bashku”, shtoi Kryeministri Edi Rama.

Top Channel