Banka Botërore, 265.7 milionë euro për financat dhe sigurinë rrugore

29/03/2015 00:00

Një raport i fundit i Bankës Botërore ka gjetur se aksidentet rrugore i kushtojnë ekonomisë shqiptare mesatarisht 130 milionë euro në vit ose 1.5 për qind e prodhimit kombëtar. Shifra përfshin të gjitha kostot: ato mjekësore, dëmtimin e mjeteve dhe rrugëve, por edhe dëmet e shkaktuara nga humbja e jetëve në rastin e aksidenteve fatale.

Siguria rrugore është një problem i vjetër në Shqipëri, i cili ka vazhduar të përkeqësohet nga viti në vit. Të dhënat zyrtare tregojnë se dekadën e kaluar lëndimet nga aksidentet në rrugë u katërfishuan, përkatësisht nga 400 raste që ishin në vitin 2001, në 1564 në 2010-ën. Përgjatë kësaj kohe, aksidente fatale me humbje jete janë luhatur nga 250 deri në 400 raste në vit.

Këto shifra e klasifikojnë Shqipërinë si një nga vendet me vdekshmërinë më të lartë nga aksidentet rrugore, përkatësisht 10 deri në 14 vetë për 100 mijë banorë. Në Europën perëndimore norma e vdekshmërisë luhatet nga 3 deri në 8 vetë për 100 mijë banorë.  

Nëse merret për bazë numri i automjeteve, atëherë me 84.6 fatalitete për çdo 100 mijë mjete, Shqipëria ka një normë vdekshmërie deri në 10 herë më të lartë se mesatarja e Bashkimit Europian dhe mbi dy herë më të lartë sesa ekonomitë e ngjashme me të.

Qeveria synon që brenda vitit 2020 ta ulë me dy herë këtë tregues dhe plani përfshin një sërë masash, nga forcimi i rregullave deri tek investimet në ndërtimin e rrugëve të reja apo mirëmbajtjen e atyre ekzistuese përmes një projekti të përbashkët me Bankën Botërore.

Top Channel