Shqipëria, mbretëria e qeseve

29/03/2015 00:00

Këto pamje tregojnë gjendjen aktuale të gjithë lumenjve në vend. Shkumbini, Gjanica, Vjosa, Semani,  Erzeni e të tjerë, rezultojnë dramatikishtë të ndotur nga qese dhe mbetjet e tjera plastike.

Vërshimi i madh i tyre si pasojë e reshjeve gjatë këtij dimri bëri që uji të transportojë tonelata mbetjesh që ishin hedhur përgjatë luginave të çdo lumi e përroi.

Banorët e shumtë dhe madje edhe strukturat e pushtetit vendor gjejnë si zgjidhjen më të shpejtë për  ta derdhjen e mbetjeve në lumenj dhe jo pranë vendgrumbullimeve të përcaktuara.

Ministria e Mjedisit edhe pse ka disa vite që e ka miratuar ligjin për menaxhimin e mbetjeve, gjendet e paralizuara para kësaj situata, ku  të parët të cilët e shkelin ligjin janë përfaqësuesit e pushtetit vendor.
“Vendorët nuk i dërgojnë as në landfillet ekzistuese, i hedhin në vendin më të afërt ose në shtretërit e lumenjve. Sidomos bashkitë kanë landfille ekzistuese, por edhe ato që nuk kanë, e kanë detyrim ligjor të bëjnë studimin dhe të përcaktojnë një vend-depozitimi. Ministria e Mjedisit është e gatshme të bashkëpunojë me të gjitha njësitë vendore për të ofruar ekspertizën e saj”, tha Abeshi, drejtor i politikave në Ministrinë e Mjedisit.

Ministria e Mjedisit kërkon që çdo qytetar, por edhe çdo përfaqësues i pushtetit vendor të respektojë ligjin duke çuar në zonat e përcaktuara mbetjet organike, por edhe inertet.
“Mosrespektimi i ligjit dhe hedhja e mbetjeve anës rrugëve edhe në shtretërit e lumenjve është një krim ekonomik që natyrisht duhet ndëshkuar”, shtoi Abeshi.

Në pjesën më të madhe të vendit mbetjet nuk grumbullohen fare, por hidhen ku të mundet nga banorët dhe njësitë e shuma të bizneseve të shërbimit. Mbetje, këto që përfundojnë të gjitha në lumë dhe det.

Është detyrim i institucioneve vendore dhe rajonale që të miratojnë tarifat e menaxhimit të mbetjeve nëpërmjet taksës së mbetjeve. Fakti është që këto kritere nuk respektohen nga të gjithë”, përfundon Abeshi

Ligji për menaxhimin e mbetjeve, i cili duhet të niste me ndarjen që në burim të mbetjeve në mënyrë që ato të përdoren për riciklim, ka mbetur i pazbatuar në një pjesë të madhe të territorit të vendit.

Top Channel