Lufta virtuale me terroristët, Europoli i shqetësuar

29/03/2015 00:00

Shefi i Europolit deklaroi se përmbajtjet e koduara të informacionit nëpër rrjete online që zotërohen kryesisht nga grupet ekstremiste, janë problemi më i madh për agjencitë e sigurisë që duan te luftojnë terrorizmin.

Të njohura ndryshe si ‘fushat e koduara të komunikimit’, ato e bëjnë edhe më të vështirë monitorimin e të dyshuarve terroristë.

Sipas kreut të policisë europiane, Rob Wainwright ka një boshllëk të madh aftësish të hetuesve, të cilët nuk mundën të ndjekin hap pas hapi rritjen në mënyrë drastike të propagandës së xhihadistëve dhe komunikimit që ata kanë me njëri-tjetrin nëpër rrjete sociale, me anë të gjuhës që vetëm ata mund të kuptohen. Kjo pasi grupet ekstremiste fshehin çdo gjurmë të tyre nga bota online.

Por një zëdhënës i sigurisë së Mbretërisë së Bashkuar, deklaroi se me burimet dhe bashkëpunimin e duhur mes agjencive të sigurimit dhe kompanive të teknologjisë, mund të arrihet mposhtja e kësaj lufte edhe në botën virtuale.

Ndërkohë, shefi i Europolit këmbëngul se komunikimi i koduar i tyre është kthyer në problemin më të madh për policinë dhe organet e shërbimit të sigurisë në trajtimin e kërcënimeve nga terrorizmi, pasi ka ndryshuar edhe natyrën e punës së tyre tradicionale për monitorimin e këtyre grupeve ekstremiste.

Burime të inteligjencës europiane konfirmojnë gjithashtu se terroristët janë duke shfrytëzuar një “rrjet të errët”, ku përdoruesit mund të hyjnë në internet në mënyrë anonime, larg syve të policisë dhe shërbimeve të sigurisë.

Nga ana tjetër, edhe kompani si “Apple”, i lejojnë klientët e tyre të përdorin aplikacione që lejojnë të fshehin informacionet në dosje të veçanta, pa u gjurmuar dot nga hetuesia. Kjo do të thotë që njerëzit mund të dërgojnë tekst ose mesazhe zanore që ekspertët e kanë të pamundur të depërtojnë në to.

Tani, Europoli është në procesin e krijimit të njësisë europiane të referimit në Internet për të identifikuar dhe për të hequr faqet që janë në përdorim nga organizatat terroriste.

Top Channel