“Turistët në Shqipëri, turp t’i shëtisësh rrugëve”

29/03/2015 00:00

Shqipëria para se të hapë portat për turistët e huaj duhet të përballet seriozisht me çështjen e mbetjeve.

Pamje me të cilat përballesh në çdo cep të vendit dhe fare lehtësisht, ka shokuar një pjesë të madhe të turistëve të huaj, për të cilët kjo është një gjendje krejtësisht anormale.

Ejona Hima, e cila është në kontakt me turistë të huaj dhe vendas tregon se shpesh u duhet të justifikohen për gjendjen në të cilat ndodhen, jo vetëm zonat turistike, por edhe ato arkeologjike të vendit.

Për turistët është e pakuptueshme se si mund të jetë një qendër e hedhjesh mbeturinash afër një muzeu, apo në një vend arkeologjik. Rrëzë lumenjve ka pafundësi qesesh, apo bidonë plastik. Gjatë gjithë verës zona në kalanë në Porto Palermo ka qenë e ndotur dhe brenda nuk ka as elektricitet”, tha Ejona Hima.

Menaxhimi i mbetjeve, jo vetëm nga pushteti vendor, por edhe nga qytetarët është ende në nivele të ulëta.

Shqiptarët po tregojnë se nuk dinë të kujdesen për ambientet  jashtë portës së shtëpisë së tyre, duke pritur që situata të përmirësohet  vetëm nga shteti. Ata janë ndotësit kryesorë të shumë ambienteve publike, të cilat frekuentohen po prej tyre.

“Askush nuk shkon në majë të Thethit, apo të Valbonës për t’i pastruar këto vende, kështu që ne nuk duhet të hedhim asgjë rrugëve”, shtoi zonja Hima.

Janë të shumta kalatë dhe lumenjtë apo brigjet e deteve, të cilat janë të mbuluara nga mbetjet, çka e bën të vështirë punën e një operatori turistik.

Top Channel