Skënderbegasit mblidhen në Athinë, ish-ushtarakët shqiptarë përkujtojnë 70-vjetorin e shkollës së tyre

30/03/2015 00:00

Qindra emigrantë që jetojnë në Greqi përkujtuan në Athinë 70-vjetorin e shkollës “Skënderbej”. Të mbledhur nga të gjitha anët e Greqisë, skënderbegasit kujtuan vitet e studimeve në këtë shkollë.

Ata diskutuan për vitet e shkollës dhe ndihmën që ajo dha në krijimin e ushtrisë moderne shqiptare. Prej kësaj shkolle kanë dalë shumë kuadro ushtarake, por edhe të jetës politike dhe artistike të vendit.

Kolonel Drini Nikolla, atashehu ushtarak i Ambasadës Shqiptare në Greqi, shprehet: “Sot, të gjithë skënderbegasit janë në festë. Ata festojnë ditën e 70-vjetorit të krijimit të shkollës ushtarake. Nga ajo shkollë dolën breza të tërë ushtarakësh që me devotshmëri ushtruan detyrën e tyre në mbrojtje të atdheut. Unë i falenderoj të gjithë që u mblodhën nga çdo cep i Greqisë për të festuar së bashku.”

Petref Sadikaj, kryetari i shoqatës “Skënderbegasi”, tha: “Për ne, ish-skënderbegasit, është një ditë e shënuar. Mbushen plot 70 vjet nga dita e krijimit të shkollës sonë ushtarake “Skënderbej”. Kësaj shkolle legjendë që prodhoi për vendin dhe atdheun kuadro të niveleve të ndryshme, jo vetëm në fushën e mbrojtjes së athdheut, por edhe në sferat e tjera.”

Për të pranishmit u lexua edhe një mesazh urimi që Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bujar Nishani, iu dërgoi skënderbegasve kudo ata ndodhen.

Në vazhdim, shoqata “Skënderbegasi” shpërndau edhe certifikata mirënjohjeje për disa prej ish-kadetëve të kësaj shkolle.

Top Channel