Zgjedhjet lokale në Francë, fitojnë konservatorët

30/03/2015 00:00

Konservatorët dhe aleatët e tyre janë triumfuesit e raundit final të zgjedhjeve lokale në Francë. Partia UMP, e kryesuar prej ish-presidentit Nicolas Sarkozy, ka siguruar sipas rezultateve paraprake të paktën 65 këshilla rajonalë, nga 41 që kishte përpara.

Të tjera fitore korri dhe Fronti Nacional i Marine Le Penit, por pa mundur të dalë i pari, ndërsa socialistët mund të humbasin rreth 30 departamente. Ish-kreu i Elizesë, Sarkozy deklaroi se me votën e tyre, francezët i refuzuan masivisht politikat e pasardhësit të tij, Francois Hollande.

“Asnjëherë më parë, familja jonë politike nuk kishte fituar kaq shumë këshilla. Refuzimi i personave, që janë sot në pushtet është i padiskutueshëm”, tha Nicolas Sarkozy, kryetar i UMP.

Edhe pse rezultati nuk ishte plotësisht ai i dëshiruar prej saj, Marine Le Pen e cilësoi këtë “një ditë historike për Frontin Nacional”.

“Jemi shumë pranë realizimi të qëllimit tonë: marrjes së pushtetit dhe vënies në zbatim të ideve, që kemi për ta rindrequr këtë vend”, tha Marine Le Pen, kryetare e FN.

Kryeministri Manuel Valls nuk pati rrugë tjetër, veçse të pranonte se humbja e socialistëve është e pamohueshme.

“Francezët folën. Ata shprehën zemërimin e tyre ndaj një jete të përditshme, e cila është shumë e vështirë. Ne do t’i dyfishojmë përpjekjet tona për rritjen e ekonomisë. Objektivi ynë do të jetë krijimi i vendeve të reja të punës”, tha Manuel Valls, kryeministër i Francës.

Fronti Nacional, i së djathtës ekstreme, i Marine Le Pen doli në vend të dytë me 25 për qind të votave në raundin e parë javën e kaluar, një goditje për socialistët në pushtet që dolën të tretët. Konservatorët e UMP-së u renditën të parët.

Revanshin e tij, Fronti Nacional ia detyron përfitimit të madh nga çështjet e ngarkuara politikisht të emigracionit, integrimit të Islamit në shoqërinë franceze dhe synimit të partisë për ta tërhequr Francën nga Eurozona dhe për t’u rikthyer te franga.

Votimet e së dielës, nga të cilat u përjashtuan nga qytetet e mëdha, Parisi dhe Lioni, konsiderohen një test për zgjedhjet e tjera shumë më të rëndësishme; ato presidenciale, që do të mbahen në 2017-n.

Top Channel