Zgjedhjet vendore, KVV publikon raportin: Mungon vullneti politik

30/03/2015 00:00

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë ka publikuar këtë të hënë Raportin e
Parë të Ndërmjetëm për zgjedhjet vendore të 21 Qershorit, ndërkohë që ka
paraqitur disa rekomandime për institucionet përgjegjëse, por edhe për
partitë politike.

KVV theksoi rëndësinë që kanë zgjedhjet e 21 Qershorit, si të parat pas marrjes së statusit të vendit kandidat për në BE, ndaj “duhet konsideruar me prioritet plotësimi i pritshmërive”.

Ndërsa plotësimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u cilësua “pozitiv, edhe pse me vonesë”, raporti kritikon ngathtësinë e deritanishme për ndërtimin e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor.

“Vullneti politik vazhdon të mungojë. Nuk ka asnjë lëvizje nga Parlamenti për ndërtimin e komisioneve zonale të administrimit zgjedhor. Kuadri për zgjedhjet nuk u plotësua me propozimet e paraqitura, ndaj për këtë arsye mbeti i paplotë. Në funksionimin e KQZ-së vërehen disa përmirësime, por ka dhe disa sjellje jo konform frymës së ligjit. KQZ ndërkaq nuk ushtron në mënyrë të plotë autoritetin dhe kompetencat e dhëna në të gjitha hallkat”, ishin disa nga konstatimet e përfaqësuesve të Koalicionit të Vëzhguesve Vendorë.

Ata apeluan ndaj partive politike që të rrisin pjesëmarrjen e grave, “në mënyrë që të kenë përfaqësim të barabartë zgjedhor në të gjitha nivelet e administrimit të zgjedhjeve”.

Top Channel