Kryebashkiaku i Kukësit i përgjigjet Bashës: Ika nga PD-ja për Ujësjellësin

30/03/2015 00:00

“Kryetari i bashkisë suaj, pasi abuzoi me fondet dhe me administrimin e qytetit, gjeti strehë te LSI-ja e Ilir Metës. Ilir Meta është streha e fundit e maskarenjve.” Kjo ishte deklarata e Lulzim Bashës gjatë protestës së Partisë Demokratike, ditën e dielë, në Kukës.

Të hënën, kryetari i Bashkisë së Kukësit i është përgjigjur akuzës së kreut të Partisë Demokratike, duke thënë se arsyeja e largimit të tij ishte se nuk pranonte të firmoste për Ujësjellësin e Kukësit.

“Basha e di shumë mirë arsyen e largimit nga PD-ja. Më lutën që të rrija, me kusht që të firmosja projektin famëkeq të Ujësjellësit të Kukësit, me të cilin ai e di shumë mirë se kush ka abuzuar”, theksoi Halilaj.

Halilaj ka shtuar më tej se, ai kurrë nuk do të merrte vendime “që do të ishin në kurriz të qytetarëve të Kukësit, ndërkohë që Basha është i tmerruar nga sondazhet e fundit, që tregojnë se ai do humbë, jo vetëm Bashkinë e Tiranës, por edhe Partinë Demokratike”.

Halilaj rikandidon sërish këtë herë në siglën e LSI-së dhe i mbështetur nga Partia Socialiste.

Top Channel