Lumi Morava del nga shtrati, përmbytje në zonat përreth

30/03/2015 00:00

Përmbytjet nga reshjet e fundjavës në Kosovë kanë shkaktuar dëme në
komunat e Anamoravës.Si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Morava,
dhjetëra shtëpi në komunat e Gjilanit, Vitisë, Kllokotit dhe Kamenicës
janë përmbytur nga uji, ndërsa dhjetëra banorë janë evakuuar.

Kryetari i Vitisë, Sokol Haliti tha përmes telefonit për Top Channel se gjendja është e rëndë nëpër disa fshatra ku për shkak të nivelit të ujit nëpër bodrumet e shtëpive duhet të ndërpritej energjia elektrike. Haliti tha se ekipet emergjente janë në terren dhe të hënën gjatë mëngjesit gjendja është përmirësuar pasi janë ndalur reshjet.

Kryetari i Vitisë tha se kanë formuar ekipet vlerësuese të dëmeve të cilat sipas tij janë të mëdha sidomos në fushën e bujqësisë. Për të parë gjendjen alarmante të hënën në Viti ka qëndruar edhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, i cili është zotuar se do të ndihmojë në rehabilitimin e shtratit të lumit Morava.

Kryetari i komunës së Vitisë i ka bërë thirrje edhe Ministrisë së Bujqësisë që të reflektojë dhe t’u dalë në ndihmë bujqve të Anamoravës, pasi të mbjellat e tyre janë përmbytur tërësisht.

Edhe në komunën tjetër të Anamoravës, në Kamenicë si pasojë e reshjeve të mëdha në fshatin Laqiq ka pasur rrëshqitje masive të dheut, duke rrezikuar jetën e familjes së Jakup Robellit. Drejtoria e Mbrojtjes dhe Shpëtimit në Kmaenicë ka evakuuar këtë familje, ndërsa ka kërkuar ndihmë nga niveli qendror pasi edhe në lagje tjera të komunës kohëve të fundit ka pasur rrëshqitje të dheut.

Top Channel