Eksportet vazhdojnë të bien

30/03/2015 00:00

Të dhënat e fundit zyrtare tregojnë se aktiviteti industrial në vend u
tkurr me ritme të ndjeshme në tremujorin e fundit të vitit.

Në buletinin e statistikave afatshkurtra, INSTAT raportoi se vëllimi i prodhimit industrial ra në tremujorin e katërt me 7.2 për qind, krahasuar me një vit më parë.  
 
Sipas INSTAT, ecuria negative është rezultat i tkurrjes së fortë të prodhimit në industrinë nxjerrëse, përkatësisht naftës dhe mineraleve të cilat janë goditur nga konjuktura e çmimeve në tregjet ndërkombëtare.

Statistikat afatshkurtra i paraprijnë publikimit të rritjes ekonomike. Të dhënat e tremujorit të katërt, veçanërisht ato që lidhen me shitjet e raportuara të bizneseve, sinjalizojnë për një ecuri më të ngadaltë të aktivitetit ekonomik, ku rritja në disa degë si ndërtimi apo tregtia është amortizuar nga tkurrja në sektorët e industrisë dhe atij të shërbimeve.  

Sipas INSTAT, shifra e afarizmit në volum ose shitjet e faturara nga bizneset u rritën në tremujorin e katërt me vetëm 2.6 për qind në terma vjetorë. Të dhënat tregojnë se kjo është rritja më e ulët në 5 tremujorët e fundit.

Për vitin 2014, Qeveria vlerëson se ekonomia u rrit me 2.1 për qind. Si nëntëmujor, periudhë për të cilën shifrat janë zyrtare, rritja e prodhimit rezultoi 1.4 për qind. INSTAT pritet të publikojë shifrën e tremujorit të katërt pak ditë më pas, por treguesit e statistikave afatshkurtra sinjalizojnë se ndryshe nga tremujori i tretë, ku u rrit me 3.5 për qind, ritmet e ekonomise mund të jenë ngadalësuar sërish në fund të vitit.

Top Channel