FMN: Rritja e pagave në Kosovë, para rritjes ekonomike

30/03/2015 00:00

Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerëson se Kosova i ka rritur pagat në
sektorin publik para se të kete një rritje ekonomike dhe kjo sipas
FMN-së krijon paqëndrueshmëri. 

Shefi i misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar për Kosovën, Jacques Miniane, pas një qëndrimi dyjavor në Kosovë tha në një konferencë për media se presin që ekonomia e Kosovës të rritet mbi 3 për qind këtë vit.
 
“Ne kemi arritur perfundime per katër – pesë pika kyçe gjatë këtyre javëve. Ne presim një rritje këtë vit, pak mbi 3 për qind. Kjo nuk është keq.  Në fakt është më mirë se disa shtete të rajonit. Po pajtohem me Bankën Qendrore të Kosovës dhe qeverinë edhe me gjitha palët e interesit që Kosova ka nevojë për një rritje më të madhe, më të shpejtë se 3 për qind, në mënyrë që të krijojë vende të reja  pune, të krijojë një shpresë më të madhe për një nga popullatat më të reja të Evropës”, tha Miniane.
 
Shefi i misionit të FMN-së tha se sektori bankar në Kosovë qëndronë pozicion të  mirë, por tha se bankat duhet të lëshojnë më shumë kredi që të mbështesin investime në sektorin e prodhimit dhe infrastrukturës.

Ai tha se një problem mbetet gjyqësori pasi numri i madh i lëndëve dhe mungesa e ekspertizës në rastet financiare po krijojnë probleme.
Vërejtjet dhe sugjerimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar i ka mirëpritur Qeveria e Kosovës.

“Fondi Monetar Monetar për herë të parë vjen në Kosovë për të kryer këto konsultime në kuadër të artikullit të katërt sipas statutit të FMN-së. E kemi një situatë relativisht të favorshme sa i përket borxhit publik të cilin e kemi mjaftë të ulët dhe kemi hapësirë për të hyrë në marrëveshje me Fondin Monetar dhe me organizatat tjera ndërkombëtare për të financuar nevojat tona”, tha Avdullah Hoti, ministër i Financave.

Edhe Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Bedri Hamza tha se vlerësimet e FMN-së për sektorin bankar janë reale dhe sipas tij ky sektor i ka rritur asetet e bankave dhe depozitat.

Përfaqësuesit e Fondit Monetar Monetar kanë qëndruar disa javë në Kosovë ku janë takuar me përfaqësues të institucioneve të ndryshme, për të parë mënyrën e shpenzimit të buxhetit publik.

Top Channel