Aleancat për zgjedhjet vendore, marrëveshje PS-PDIU

30/03/2015 00:00

Shpëtim Idrizi iu drejtua Partisë Socialiste jo vetëm për të finalizuar aleancën për zgjedhjet vendore, por për të finalizuar në takimin me Edi Ramën një vendim edhe më të gjerë sesa kaq.

“Së bashku me PDIU ne do të jemi në bashkëqeverisje”, deklaroi Rama në përfundim të takimit kokë më kokë.

“Unë ndaj opinionin e PDIU, duke folur në këtë rast për politikën e jashtme të qeverisë, që ka qenë më dinjitoze dhe më reciproke. Janë këto dhe disa gjëra të tjera që kemi vlerësuar që na bëjnë që të shohim përputhje në programin me PS”, tha nga ana e tij Idrizi.

Megjithë këmbënguljen e gazetarëve për të mësuar se deri në cilin nivel do të përfaqësohet në qeverisje PDIU dhe sa njësi vendore do t’i lihen kësaj force politike, Rama e Idrizi ia lanë këto detaje ditëve në vazhdim.

E vetjma njësi e përmendur nga kreu i PDIU ishte Konispoli, ndërsa më herët kjo parti kishte shprehur ambicjen edhe për katër njësi të tjera, Patosin, Shijakun, Rrogozhinën dhe Peqinin.

“Ne kemi rënë dakord të dalim me 61 kandidatë të përbashkët. Sigurisht, në ato qarqe ku pesha e PDIU është më e qartë ne do të shqyrtojmë kandidaturat tona. Sigurisht që kemi vënë piketat tona duke nisur që nga Konispoli dhe zona të tjera zgjedhore”, tha Idrizi.

“Nuk kemi emra të tjerë sepse kemi vendosur ta ndërtojmë këtë partneritet duke u bazuar tek domosdoshmëria që të gjithë kandidatët të jenë të miratuar së bashku”, vijoi Rama në fjalën e tij.

Nuk dihet ende nëse për vendimin e bashkëqeverisjes me të majtën Shpëtim Idrizi ka mbështetjen e të katër deputetëve të grupit të tij parlamentar, ashtu sikundër mbetet për t’u parë qëndrimi i mëtejshëm i PBDNJ-së në qeverisje, me të cilën PS ende nuk ka finalizuar as negociatat për zgjedhjet vendore.

A mundet të bashkëjetojnë nën të njëjtën çati partia e minoritetit grek dhe ajo e komunitetit çam? Kjo pyetje pritet të marrë përgjigje nga Dule dhe Idrizi, ndërsa Edi Rama e ka këtë përgjigje:

“Të gjitha forcat, përjashto atë që humbet çdo ditë fuqi, PD, mund të japin kontributin e tyre duke ruajtur identitetin, duke ruajtur zërin dhe duke pasuruar kompleksitetin e një koalicioni që është koalicioni që i duhet Shqipërisë, e cila, bazuar në anketimet tona të fundit, konsiderohet nga një shumicë dërrmuese e shqiptarëve se po ecën në drejtimin e duhur”, tha Rama.

Top Channel