Psikologu: Pilotët, njerëz shumë të stresuar prej lodhjes së jashtëzakonshme

30/03/2015 00:00

Samy Mekhloufi është mjek, e punon prej kohësh në aeroportin “Saint-Exupéry” të Lionit. Kompanitë ajrore i dërgojnë për kontrolle rutinë pilotët e parë, pilotët e dytë dhe asistentët e fluturimit, ndërsa 51-vjeçari shpjegon se është tërësisht i pavarur, e për rrjedhojë edhe i lirë të flasë pa doreza.

Pas tragjedisë së “Airbus”-it të “Germanwings”, të përplasur javën e kaluar në Alpet franceze, shëndeti mendor i pilotëve është vendosur në qendër të vëmendjes.

Mjeku rrëfen se brenda një viti ka vizituar rreth 400 persona, që punojnë në avionë të nisur nga Lioni, duke theksuar se, përgjithësisht, bëhet fjalë për fluturime të brendshme e rrugë të shkurtra. Në radhët e personelit të ekzaminuar, ai ka gjetur të paktën një duzinë punonjësish të stërmunduar psikologjikisht, dhe gjysma e tyre janë pilotë.

“Numri është në rritje. Padyshim, personi përgjegjës për avionin është gjithmonë më i stresuari. Vendet e punës janë të pakta, kërkesat e kompanisë gjithmonë e më shtrënguese, pritshmëritë shumë larg realitetit. Pilotët kanë një lodhje të jashtëzakonshme, e cila nuk kompensohet nga kënaqësitë, e kjo është situata tipike që çon drejt rraskapitjes, si tregues i faktit që nuk ia dalin dot më”, tha Samy Mekhloufi, mjek.

Personat më të rrezikuar, sipas mjekut, mund të pikasen në sajë të pyetësorëve klasikë, ku përgjigjet përgjithësisht janë të sinqerta. Mekhloufi i përshkruan pilotët, si individë shumë të përgjegjshëm. Megjithatë, ka raste kur dikush përpiqet të fshehë të dhëna, të cilat mund t’i konsiderojë si problematike, për shkak të frikës se mos humbet vendin e punës.

Kjo tregon se kontrollet duhen shtuar, një domosdoshmëri që ka dalë në pah fare qartë, pas episodit fatkeq të avionit të kompanisë “Germanwings” me shërbime “low cost”.

Top Channel