Sauditët nuk tërhiqen nga Jemeni, deri në rikthimin e qeverisë së përmbysur nga rebelët

30/03/2015 00:00

Udhëheqësit arabë e pohuan hapur se, sulmet ajrore të koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite ndaj rebelëve Houthi, të mbështetur nga Irani, do të vazhdojnë deri në largimin e tyre prej territoreve të pushtuara në Jemen.

Në mbyllje të takimit të Lidhjes Arabe, sekretari i Përgjithshëm i saj, Nabil Elaraby u shpreh se “qeveria legjitime” e drejtuar nga Presidenti Abd-Rabbu Mansour Hadi duhet të rikthehet në pushtet. Jemeni, shtoi ai, nuk duhet lejuar që të rrëshqasë në luftë civile.

“Jemeni është në buzë të humnerës dhe ndërhyrja ushtarake mbetet e vetmja mënyrë për t’i dhënë fund grushtit të shtetit të rebelëve Houthi. Bombardimet do të vazhdojnë, derisa kryengritësit shiitë të tërhiqen nga territoret e pushtuara e të dorëzojnë armët”, tha Nabil Elaraby, sekretar i Përgjithshëm i Ligës Arabe.

Në deklaratën e Ligës Arabe thuhet gjithashtu se, liderët e saj janë dakord për krijimin e një force të përbashkët, e cila do të ketë për detyrë të trajtojë kërcënimet në rritje ndaj sigurisë në rajon. Krijimi i strukturës së kësaj force pritet të kërkojë disa muaj kohë.

Arabia Saudite është vënë në krye të sulmeve kundër pozicioneve të rebelëve, të nisura të mërkurën, dhe e ka zgjeruar koalicionin e aleatëve duke përfshirë disa shtete sunite, e duke tërhequr edhe mbështetje logjistike nga Britania dhe Shtetet e Bashkuara.

Sipas ministrit jemenas të Shëndetësisë, vetëm mbrëmjen e së shtunës mbetën të vrarë 35 vetë prej bombardimeve. Pas mësymjes disa ditore nga ajri, koalicioni arab thotë se është nën kontroll të plotë të hapësirës ajrore të Jemenit, duke shkatërruar pothuaj të gjithë arsenalin e raketave tokë-ajër të kryengritësve.

Top Channel