Prishtinë, së shpejti kthimi i Listës Serbe në qeveri

30/03/2015 00:00

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa është në pritje të Listës Serbe që të dërgojnë në qeveri emrin e ministrit të ri serb që do të pasojë Aleksandar Jabllanoviç dhe me këtë rast të ndërpritet bojkoti i tyre.

Zëvedësministri i Pushtetit Lokal, Bajram Gecaj, i cili ka negociuar në emër të qeverisë me Listën Serbe, tha përmes telefonit për Top Channel se bashkë me kryeministrin Mustafa ka takuar përfaqësuesit e Listës Serbe dhe presin shumë shpejt kthimin e tyre në institucione.

Gecaj tha se nga përfaqësuesit e Listës Serbe tani presin vetëm të propozojnë ministrin e ri dhe të rinisin punët në ministritë që u takojnë.

Ai tha se Lista Serbe nuk ka paraqitur ndonjë kusht, pasi sipas tij, për kushtet dhe programin kanë diskutuar para se të bënin marrëveshjen e koalicionit.

Për kushtet ka folur edhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kur është pyetur nëse Lista Serbe po kërkon formimin e Asociacionit të Komunave për t’u kthyer në institucione.

“Për këtë çështje, të cilën e ngritët ju, nuk kemi ndonjë kërkesë e as që kemi pasur. Është inekzistente. Sido që të jetë, çdo vendim i yni do të jetë shumë transparent, ndaj nuk ka nevojë për shqetësim”, ka deklaruar Veseli.

Përfaqësuesit e Listës Serbe nuk dëshirojnë të flasin për kthimin e tyre në institucione, ndërsa mësohet se ata në fundjavë janë takuar sërish me përfaqësues të qeverisë së Serbisë, me të cilët kanë diskutuar për kthimin në institucionet kosovare.

Lista Serbe është duke bojkotuar këto të fundit që kur kryeministri Isa Mustafa shkarkoi nga detyra Aleksandar Jabllanoviç për shkak të komenteve fyese të tij ndaj nënave gjakovare, të cilat sulmuan me gurë autobusin ku udhëtonin ministrat serbë në shenjë proteste ndaj familjarëve të vrarë gjatë luftës nga forcat serbe.

Top Channel