PD: Rama nuk e ndalon dot dekriminalizimin

30/03/2015 00:00

Partia Demokratike reagon ndaj qëndrimit publik të deputetit socialist,
Taulant Balla, i cili kërkoi nga kryeprokurori Llalla që të rinisë
hetimin për Lulzim Bashën.

Nëpërmjet një deklarate për media, PD vlerëson se, ‘reagime të tilla, janë në fakt përpëlitjet e krerëve të mazhorancës, që gjenden në ethet që u shkakton dekriminalizimi, sepse janë ata, Edi Rama dhe Ilir Meta, autorët, krijuesit e inkriminimit masiv të administratës, institucioneve dhe parlamentit’.

“Edi Rama mund të shprehet çdo ditë kundër, por ai nuk do ta ndalojë dot dekriminalizimin, një nevojë jetike e prioritet kombëtar tashmë, proces i mbështetur dhe i kërkuar nga mbarë qytetarët shqiptarë dhe nga partnerët ndërkombëtarë.Partia Demokratike do ta çojë deri në fund, me çdo çmim këtë betejë për interesin më të lartë të vendit”, thuhet në reagim.

Deputeti Balla, në profilin e tij në Facebook kërkoi hetimin e Bashës, pasi sipas tij, “nuk është gjykuar akoma për krimet e shpërdorimit të detyrës dhe të shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”.

Top Channel